Lajme

Mimoza Ahmetaj zëvëndëson Bekim Çollaku në Ministrinë e Integrimeve?

By FIRST CHANNEL

September 14, 2016

Burime të Radio Kosovës brenda Partisë Demokratike të Kosovës, bëjnë të ditur se emri që më së shumti po përfolët për ta zëvendësuar Bekim Çollakun, është Mimoza Ahmetaj.

Ish ambasadorja e Kosovës në Bruksel, brenda strukturave të PDK-së e ka në konkurrencë për këtë post edhe nënkryetarin Uran Ismailin dhe zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik, Gani Kocin.

Megjithatë, burimet brenda PDK-së thonë se Ahmetaj ka më shumë gjasa, që ta marrë nën udhëheqje këtë ministri, për faktin se tashmë asaj i ka përfunduar mandati si ambasadore dhe vjen nga një përvojë diplomatike. Përveç tjerash, emërimi i saj, do të ishte në linjë me premtimet e kreut të PDK-së, Kadri Veselit, për rritjen e numrit të femrave në Qeveri.

Të kontaktuar nga Radio Kosova, zyrtarët e PDK-së nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati, është përgjigjur shkurt duke thënë se nuk është diskutuar ende kjo çështje. Sipas tij, ka kohë për një gjë të tillë, ngase siç tha ai, Çollaku e ka dorëzuar dorëheqjen me shkrim në fillim të kësaj jave.

Ndërkohë, edhe këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, në një përgjigje me shkrim tha se ende nuk ka asgjë zyrtare sa i përket emërimit të ministrit të ri.

Radio Kosova merr vesh se partnerët e koalicionit nuk janë duke u ngutur për emërimin e ministrit të ri të Integrimit Evropian. Madje, burimet thonë se ka pak gjasa që emërimi i ministrit të ri, të bëhet gjatë shtatorit.

Përndryshe, përveç Ministrisë së Integrimit Evropian, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është pa ministër, që nga mesi i qershorit, kur Ferid Agani u lirua nga detyra e ministrit për shkak të ngritjes së një aktakuze ndaj tij për rastin “Stenta”, për kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë. Kryeministri e ka autorizuar zëvendësministrin Ferat Shala të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit të Ministrisë së Mjedisit. Zyrtarët e Partisë së Drejtësisë kanë thënë se është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit që mos të ketë emërim të ri, duke ia ruajtur në këtë mënyrë Aganit, pozitën e ministrit.