Lajme

Sot në Bruksel flitet për kodin telefonik

By FIRST CHANNEL

September 13, 2016

Ministria për Dialog, ka bërë të ditur se sot dhe nesër në Bruksel do të vazhdojnë takimet e nivelit teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në agjendë të këtyre takimeve do të jenë çështja e lëvizjes së lirë dhe ajo për kodin shtetëror telefonik të Republikës së Kosovës.

Ministrja Edita Tahiri, njëherit udhëheqësja e dialogut teknik, deklaron se marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e veturave në mes të dy shteteve është arritur javën e kaluar, ndërsa në takimin e sotëm, takimi i grupit punues për lëvizjen e lirë do të fokusohet në heqjen e tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në komunat veriore të Kosovës.

“Ndërsa në takimin për çështjen e kodit shtetëror telefonik do të diskutohet për heqjen e bllokadës që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për telekomin përkatësisht kodit shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim të kësaj Ministrie.