Teknologji

Facebook: Tërhiqje nga lufta për censurë lidhur me një foto ikonike

By Dijart Dyla

September 10, 2016

Rrjeti Facebook është tërhequr nga lufta për censurë lidhur me një fotografi legjendare të luftës. Në këtë luftë theksoheshin politikat e këtij mediumi social dhe për forcën gjithnjë e më të madhe në udhëzimin e shikueshmërisë dhe lexueshmërisë së informacioneve.

Facebook tha se do ta lejoj publikimin e një fotografie të agjencisë Associated Press, të njohur si “vajza napalm” disa javë pasi nuk kishte lejuar që një person nga Norvegjia ta postonte atë në faqen e tij në Facebook.

Fotografia e autorit Nick Ut e paraqet një vajzë të zhveshur vietnameze duke u larguar nga sulmi me bombë napalm, që konsiderohet si njëra nga pamjet më ikonike të Luftës së Vietnamit.

Por, kjo vajzë në fotografi është e zhveshur, dhe Facebook tha se paraqet shkelje të rregullave të tij të përdorimit dhe nuk e ka lejuar publikimin e fotografisë.

Pas disa javësh të protestës nga gazeta më e madhe e Norvegjisë, e bile edhe nga kryeministri i këtij vendi, gjiganti social medial mbrëmë është tërhequr nga vendimi i vet dhe e ka lejuar përdorimin e fotografisë.

Facebook është shndërruar në portal primar, në të cilin njerëzit në gjithë botën i marrin lajmet e tyre, fakt ky që i ka shqetësuar organizatat mediale, që kanë frikë për censurë ose humbje të lexuesve apo të ardhurave nga reklamat.