Berisha: Në pranverë kemi zgjedhje të reja

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka vlerësuar se në zgjedhje të parakohshme mund të shkohet duke filluar qysh prej muajit mars.

Në një prononcim për “Zërin”, ai ka thënë se opsioni i vetëm për të dalë nga kriza politike janë zgjedhjet.

“Marsi, eventualisht prilli i vitit të ardhshëm, besoj se do të jetë i pakapërcyeshëm, po nuk përjashtohet edhe nëntori i këtij viti”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, koalicioni PDK-LDK është bërë i paqëndrueshëm, dhe kjo do të jetë edhe njëra prej arsyeve që do të shkohet në zgjedhje.

“Deri tash kanë menduar se mund të funksionojnë si koalicion, por tash edhe këta vetë janë bindur se ky koalicion ka qenë koalicion i interesave të ngushta personale të Hashimit dhe Isës”, ka theksuar deputeti i Kuvendit.

Ndërkaq, para dy dite, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka problem zgjedhjet.

Temat
LajmeVend

Të afërta