Ymeri: Kushtetuta e Kaçanikut më e mirë sesa e Arsim Bajramit e Hajredin kuçit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri me rastin e 26 vjetorit të miratimit të asaj që njihet si Kushtetua e Kaçanikut thotë se kjo kushtetutë e shkruar nga Gazmend Zajmi është shumë më e mirë sesa ajo e shkruar nga Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi.

Sipas Ymerit, Kushtetuta e Kaçanikut kishte në qendër njeriun, shoqërinë, drejtësinë, e shumë të tjera.

Vlerëson se Kushtetuta e Kaçanikut krijonte një hapësirë shtetërore dhe ekonomike demokratike, dhe hapësirë për ndërmarrësinë private, por aktivitetin ekonomik ia nënshtronte mirëqenies shoqërore./lajmi.net

Postimi i Ymerit në Facebook:

Sot bëhen 26 vjet nga miratimi Kushtetutës së Republikës së Kosovës, apo siç njihet Kushtetuta e Kaçanikut. Kjo Kushtetutë e shkruar nga Akademiku Gazmend Zajmi, në Nenin e parë të saj përcakton që “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.”(Neni 1)

Kjo Kushtetutë e Gazmend Zajmit ishte shumë më e mirë dhe më e drejtë sesa kjo e Arsim Bajramit e Hajredin Kuçit. Ajo nuk e kishte nenin absurd e antidemokratik 1.3 që i bën shqiptarët fajtorë.

Njëkohësisht Kushtetuta e Kaçanikut kushtëzonte që “Organizimi i jetës ekonomike dhe sociale rregullohet në mënyrën që të gjithë qytetarëve t’u sigurojë standard të jetesës në pajtim me drejtësinë, të bazuar në punën e tërësishme, si burim i mirëqënies, dhe në pajtim me dinjitetin njerëzor.”(Neni 24)

Pra në qendër ishte njeriu, shoqëria, drejtësia, mirëqenia dhe dinjiteti, e jo tregu, privatja…

Kushtetuta e Kaçanikut krijonte një hapësirë shtetërore dhe ekonomike demokratike, dhe hapësirë për ndërmarrësinë private, por aktivitetin ekonomik ia nënshtronte mirëqenies shoqërore. Pra kushtëzonte një ekonomi që krijon mirëqenie për shoqërinë, e jo një shoqëri që e sakrifikon mirëqenien për tregun.

Temat
LajmeVend

Të afërta