Qytetarët, peticion Shpendit kundër degradimit të lagjes, në mesin e tyre edhe Hasan Preteni

Përmes një peticioni banorë të ndërtesave të zonës përgjatë Rrugës “B” i kanë kërkuar Komunës së Prishtinës që të ndërtohet infrastrukturë tokësore, si dhe janë shprehur kundër degradimit lagjes.

Afër 100 kryefamiljarë të kësaj zone kanë kërkuar shërbime komunale nga Komuna e Prishtinës. Kërkesën e kanë drejtuar nëpërmjet një peticioni. Pos kërkesës për infrastrukturë, ata janë shprehur kundër degradimit të asaj zone, sipas të cilëve ishte paraparë që të këtë më shumë gjelbërim.

Lajmi.net e posedon peticionin, ne mesin e nënshkruesve figuron edhe emri i drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, si banor i asaj zone.

“Kërkojmë ndërtimin e infrastrukturës së përgjithshme të lagjes sonë, duke përfshirë veçanërisht rrugën e lagjes me kyçje në rrugën ‘B’ ashtu siç është përcaktuar me lejen ndërtimore duke përfshirë trotuaret, sinjalistikën, ngrohjen, ndriçimin publik, vendkalimet për këmbësorë, stacioni i autobusëve, mbledhja e mbeturinave, kanalizimin (i cili ende nuk është rregulluar në disa pjesë përgjatë rrugës ‘B’) etj”.

“Këtu ua rikujtojmë organeve kompetente komunale se me ndërtimet e deritanishme dhe pa kriter përgjatë rrugës ‘B’ veç na janë cënuar të drejtat tona njerëzore me trotuaret e ngushta dhe, më e keqja, pothuajse gjithmonë të zëna nga makinat e parkuara, si dhe nga fakti që jemi rrezikuar dhe penguar nga makineritë e punishteve dhe makinat e tjera të parkuara kundër të gjitha rregullave në shumë pjesë të rrugës, nga ndotja enorme e mjedisit, ajrit dhe ajo akustike etj”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e banorëve.

Njëri ndër iniciatorët e peticionit, arkitekti Valdet Osmani, ka thënë për lajmi.net që janë kundër degradimit, si dhe, banorët po kërkojnë kthimin e taksës qe e kane paguar.

“Po ashtu kërkojmë dhe zbatimin e ligjit dhe zonat mbrojtëse te gjelbëruara dhe rekreacion dhe përmirësim te infrastrukturës. Kemi pagur mbi 5 milion euro edhe tash e 5 vite maltretohemi dhe komuna asgjë s’ka be përpos qe na ka dëmtuar”, tha Osmani.

Më poshtë mund ta lexoni peticionin:

PËR: KOMUNA E PRISHTINËS

Kryetarit të Komunës dhe Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit

PETICION

I BANORËVE TË NDËRTESAVE TË ZONËS PËRGJATË RRUGËS “B” ME ANË TË TË CILIT:

JEMI KUNDËR DEGRADIMEVE DHE NDËRTIMEVE TË OBJEKTEVE përgjatë “rrugës B” deri tek rrethrrotullimi me rrugën ‘Enver Maloku”,
KËRKOJMË të ndërtohet infrastruktura tokësore përcjellëse publike dhe e kanalizimit, rrugët kyçe se me zonë ne gjelbërimi dhe rekreacioni
Ne qytetarët banorë të zonës përgjatë rrugës “B”në lagjen Mati 1,të nënshkruar më poshtë, duke u bazuar në të drejtat tona ligjore dhe qytetare në përmes këtij peticioni në mënyrë kategorike jemi KUNDËR DEGRADIMIT DHE NDËRTIMEVE të çfarëdo ndërtese/objekti përgjatë rrugës “B” nga rrethrrotullimi me rrugën“E. Maloku” deri tek pjesa në afërsi të marketit “Meridiani Express” e cila pjesë është përroske nëntokësore.

Të gjithë neve, pronarëve të banesave (qindra sosh),gjatë blerjes së banesave tona, nga ana e investitorëve, si dhe nga ana e organeve kompetente komunale zyrtarisht (me dokumentacion të vulosur e të nënshkruar) na është thënë që kjo zonë do të jetë vetëm zonë gjelbërimi e rekreacioni dhe pa kurrfarë ndërtimi ku janë edhe lejet ndërtimore dhe se kjo zonë parashihet si hapësirë publike dhe zonë gjelbërimi e rekreacioni, me rrugën publike për banorët lokalë.

Prandaj, çfarëdo devijim nga lejet ndërtimore dhe plani rregullues-urbanistik burimor, do të përbënte shkelje flagrante të dokumenteve relevante ligjore, do të na dëmtonte materialisht në shumë drejtime, si dhe do të cenonte shumë të drejtat qytetaret të neve banorëve por jo vetëm siç janë: e drejta jonë e gëzimit të papenguar dhe të plotë të pronës sonë individuale dhe asaj të përbashkët; e drejta elementare për një ambient të qetë, të sigurt, të pastër;e drejta për ndriçim të mjaftueshëm natyror dhe hapësira publike, e drejta për mbrojtjen dhe mos-rrezikim të stabilitetit të ndërtesave, e drejta për të jetuar në një zonë pa mbipopullim dhe me hapësira të mjaftueshme publike dhe infrastrukturë adekuate publike (shkolla, çerdhe, parqetetj). Ua rikujtojmë zyrtarëve komunalë se të gjitha këto të drejtat dhe interesat tona janë juridikisht të mbrojtura me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, me konventat ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë.

Përveç këtij kundërshtimi, ne banorët:

KËRKOJMË ndërtimin e infrastrukturës së përgjithshme të lagjes sonë, duke përfshirë veçanërisht rrugën e lagjes me kyçje në rrugën “B” ashtu siç është përcaktuar me lejen ndërtimore duke përfshirë trotuaret, sinjalistikën, ngrohjen, ndriçimin publik, vendkalimet për këmbësorë, stacioni i autobusëve, mbedhjea e mbeturinave, kanalizimin (i cili ende nuk është rregulluar në disa pjesë përgjatë rrugës “B”) etj. Këtu ua rikujtojmë organeve kompetente komunale se me ndërtimet e deritanishme dhe pa kriter përgjatë rrugës “B” veç na janë cenuar të drejtat tona njerëzore me trotuaret e ngushta dhe, më e keqja, pothuajse gjithmonë të zëna nga makinat e parkuara, si dhe nga fakti që jemi rrezikuar dhe penguar nga makineritë e punishteve dhe makinat e tjera të parkuara kundër të gjitha rregullave në shumë pjesë të rrugës, nga ndotja enorme e mjedisit ajrit dhe ajo akustike etj.;
KËRKOJMË rregullimin e zonës së gjelbërimit, si dhe ndërtimin e komplet infrastrukturës për sport dhe rekreacion. Ne banorët e lagjes, si komunitet, kemi nevojë imediate për hapësira publike gjelbërimi dhe rekreacioni, të cilat do të jenë në funksion të publikut respektivisht qytetarëve ku neve kemi paguar shumë taksa në pronë dhe taksat për lejet ndërtimore dhe infrastrukturore.
Si qytetarë që kemi paguar shuma të mëdha taksash dhe ne kërkojmënga Komuna e Prishtinës që të bëjë investime në zonën tonë, të cilat i presim qe një kohë të gjatë, si dhe kërkojmë nga ajo që të mbrojë interesin publik dhe interesin e qytetarëve të saj, e jo interesat e individëve të caktuar në dëm të qytetarëve.

Për fund, si banorë dhe qytetarë të Komunës së Prishtinës, ne shprehim gatishmërinë tonë për një bashkëpunim të sinqertë dhe të frytshëm me organet komunale për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me lagjen tonë, në mënyrë që bashkërisht të punojmë në interes publik duke realizuar aktivitete të përbashkëta për të mirën publike.

Ju faleminderit për bashkëpunim.

Në Prishtinë, më 06shtator 2016.

Banorët e ndërtesave të “LIN Projektit”, “Mataj”, “LentiConstruction”, “IngEngineering-ut”dhe zonës përreth (vijojnë emrat dhe nënshkrimet).

11

33-2

44-1

55

66-1

Temat
LajmeVend

Të afërta