Lajme

Pezullohet përkohësisht vendimi për koncesionin e autostradës Milot-Morinë

By FIRST CHANNEL

September 06, 2016

Agjencia e Prokurimit pezullon zbatimin e kontratës koncesionare për kompaninë fituese “Vendeka Bilgi”, e cila u rendit e para në tenderin për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë.

Vendimi është marrë pasi kompania “Catalyst and Salillari LLC”, e shpallur e dyta në tenderin e dhënies me koncesion, është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik, kundër vendimit të Ministrisë së Transporteve.

Kompania e shpallur fituese nga MTI për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë, pjesë e rëndësishme e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit” “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, ofroi shumën 320 milionë euro për investime, ndërsa do të subvencionohet nga buxheti i shtetit në shumën 5,6 milionë euro, nëse nuk arrihet trafiku i programuar i makinave që do të taksohen.

Ndërsa kompania “Catalyst and Salillari”, e dyta në garën e koncesionit, ofroi shumën 217 milionë euro për investim dhe kërkoi 4,99 milionë euro subvencionim nga shteti.

Vendimi do të pezullohet deri ne shqyrtimin e ankesës Komisioni i Prokurimit Publik.