Lajme

Mustafa takoi autoritete të larta të Selisë së Shenjtë

By Dijart Dyla

September 05, 2016

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vatikan, ka takuar autoritete të larta të Selisë së Shenjtë.

Mustafa pasi mori pjesë në meshën e mbajtur për nderë të shenjtërimit të Nënës Terezë në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë takimit, Mustafa e informoi për progresin në Kosovë.

Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejme për Kosovën.

Me këtë rast, Mustafa shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi krenarinë e madhe të popullit të Kosovës për shenjtërimin e Nënës Terezë, duke e falënderuar për respektin e posaçëm që i është bërë delegacionit të Kosovës, gjatë këtyre ceremonive.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, shprehu përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën, duke i uruar Kosovës mbarësi në proceset e saj zhvillimore.

Kardinali Parolin, po ashtu, theksoi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri Mustafa ka takuar edhe Nuncin Apostolik të Vatikanit për Slloveni dhe Kosovë, Juliusz Janusz.