Botë

G20-Moska dhe Riadi kundër ngrirjes së prodhimit të naftës

By Dijart Dyla

September 05, 2016

Rusia dhe Arabia Saudite, dy prodhuesit kryesorë të arit të zi u angazhuan sot për një bashkëpunim më të ngushtë midis shteteve eksportuese në mbështetje të stabilitetit të tregut të naftës, pa përmendur mundësinë e ngrirjes të nivelit të ofertës, një çështje mjaft e diskutueshme që rezultoi pa sukses në fillim të vitit.

Gjashtë muaj pas disfatës së bisedimeve në Doha, ministri i Energjisë ruse, Alexandre Novak dhe ai i Burimeve Natyrore saudite, Khaled al-Faleh nënshkruan në vazhdën e samitit të G20-ës në Kinë një deklaratë të përbashkët, e cilësuar “historike” nga Novak.

“Ministrat pranuan rëndësinë e një dialogu konstruktiv dhe një bashkëpunimi të ngushtë midis vendeve kryesore eksportuese me qëllim mbështetjen e stabilitetit në tregun e naftës dhe garantimin e një niveli të qëndrueshëm në planin e investimeve afatgjata”, sipas tekstit publikuar në Moskë nga Ministria ruse.

“Ministrat ranë dakort për të bashkëpunuar midis tyre ose në bashkëpunim me shtetet e tjera prodhuese të naftës”, shtoi ai.