Vota për demarkacionin do të thotë edhe votë për koncesione ndaj serbëve

Vota pro për Marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi nga e enjtja do të thotë edhe votë për koncesione në raport me Listën Serbe. Kjo pritet ta ulë mbështetjen në Kuvend për demarkacionin.

Një ditë më parë, kryeministri Isa Mustafa ka përdorur autoritetin për ta mbajtur në jetë versionin aktual të Marrëveshjes së kufirit me fqinjin perëndimor, që pretendohet se Kosovës ia humb rreth 8 mijë hektarë, shkruan sot Koha Ditore.

Ai e ka tërhequr nga Kuvendi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes, pikërisht në kohën kur ligjvënësit ishin bërë gati të debatonin për të dhe pastaj të votonin.

Mustafa ka arsyetuar tërheqjen me mungesën e deputetëve të Listës Serbe në seancë, pa të cilët nuk mund të shpresonte se dokumenti do të siguronte votat e mjaftueshme për ratifikim.

Opinionisti Imer Mushkolaj ka shtruar nevojën që kreu i Qeverisë t’i bëjë publike kushtëzimet e Listës Serbe – nëse ka pasur të tilla, në mënyrë që qytetarët ta dinë se çfarë po kërkon ky subjekt politik.

Nait Hasani është nga ata deputetë të partisë kryesore në pushtet, PDK-së, që janë kundër demarkacionit. Ai ka theksuar se në seancën e djeshme politikisht Qeveria ka dështuar.

Temat
LajmeVend

Të afërta