Ja sa para ua kan borxh VIP’at shtetit

Borxhet që bizneset i kanë organeve tatimore, kryesisht sektorit VIP po shtohen me shpejtësi, por duket se tatimet nuk i kanë llogaritë e qarta në këtë drejtim.

Kontrolli i lartë i Shtetit sapo ka përfunduar një kontroll në Drejtorin e tatimpaguesve VIP në Tiranë dhe ka zbuluar se vetëm për vitin 2014 borxhi i bizneseve në tatime u shtua me 7.9 miliardë lekë ose 57 milionë euro.

“Nga auditimi i Drejtorisë së Borxhit, rezultoi se është konstatuar se fotografimi i borxhit në nivel DPT-je, në vitin 2014 rezulton një shtim borxhi në vlerën prej rreth 7,914 milion lekë” thuhet në raportin Final Të KLSH-së.

KLSH i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, të evidentojë dhe saktësojë vlerën e borxhit si dhe kohën e lindjes së tij. Gjithashtu KLSH kërkon që të merren masa të menjëhershme për rakordimin e gjendjes së borxhit tatimor nga ana e Sektorit të Mbledhjes së Borxhit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Nisur nga numri i madh i subjekteve debitorë si dhe vlera e borxhit tatimor, KLSH vëren se janë marrë masa jo të mjaftueshme shtrënguese në rikuperimin e borxhit tatimor. Nga auditimi rezultoi se në totalin e masave shtrënguese peshën kryesore si në numër subjektesh dhe në vlerë, e zë masa “Njoftim për pagesë” dërguar tatimpaguesve, duke vazhduar pastaj me masën e dytë që është “Urdhër Bllokim i Llogarive Bankare” ku dhe fillojnë të vështirësohen masat ndaj tatimpaguesve.

Në vijim rezulton se nuk është marrë masa “Urdhër Sekuestrim i Pasurisë” pasi nga verifikimi i pasurive të tatimpaguesve ka rezultuar se janë pasuri të cilat janë në kolateral të bankave pasi kanë kredi.

KLSH i rekomandon Drejtorisë e Përgjithshme të Tatimeve të marrë masa të plota lidhur me mënyrën e programimit të ardhurave tatimore duke përfshirë në këtë zë edhe të ardhurat që sigurohen nga programi i rikuperimit të borxhit tatimor.

Temat
FunShowbiz

Të afërta