E rrihte djali, e moshuara: Ai do të na mbysë po u lirua nga burgu

E moshuara e dhunuar nga i biri, Hatixhe Alla, ka dëshmuar sërish në Policinë e Bulqizës për ngjarjen. Me zë të mekët dhe duke u dridhur ajo ka treguar se i biri, Faiku, ishte bërë i padurueshëm dhe ua kishte nxirë jetën pjesëtarëve të familjes.

E moshuara e dhunuar nga i biri, Hatixhe Alla, ka dëshmuar sërish në Policinë e Bulqizës për ngjarjen. Me zë të mekët dhe duke u dridhur ajo ka treguar se i biri, Faiku, ishte bërë i padurueshëm dhe ua kishte nxirë jetën pjesëtarëve të familjes.

“Na ka rrahur keq. Është mirë të mos dalë nga burgu. Kemi shumë frikë nëse rikthehet në shtëpi”, ka deklaruar e moshuara për grupin hetimor të ngjarjes. Sipas saj, herën e fundit kur u dhunua nga i biri, në familjen e tyre në fshatin Dushaj të Bulqizës, kanë qenë fqinjët që lajmëruan Policinë. Por, ajo tregon se ka pasur raste edhe më të rënda, kur në mes të borës djali i ka nxjerrë jashtë familjarët. Kur ka nisur dhuna e djalit ndaj jush? Prej vitesh Faiku na rrihte. Dhjetëra herë ma ka nxirë trupin duke më goditur me grushte, shkelma e mjete të forta.

Na e ka nxirë jetën. Ai ishte tmerri ynë. Sa hynte brenda na shante, na godiste dhe na fyente. Për të mos u bërë gazi i botës nuk i tregonim askujt. Na vinte rëndë të tregonim vuajtjet tona për shkak të dhunës së djalit. As në fshat dhe as te të afërmit tanë nuk kemi dëgjuar se djali në atë moshë rreh nënën. Kujtoni ndonjë rast të veçantë të dhunës së Faikut ndaj jush?

Më keq jemi ndjerë në dimër, kur ka qenë shumë ftohtë dhe jashtë binte borë. Ai na nxirrte nga shtëpia dhe ne ishim të detyruar të futeshim në kasollen e bagëtive për të shpëtuar kokën. Ai është shumë i fortë dhe me një të goditur na rrëzonte përtokë. Sa herë na ka shkaktuar plagë. Unë kam vuajtur shumë nga djali im. Cilat kanë qenë shkaqet e dhunës së djalit? Asnjëherë nuk e kam kuptuar shkakun e vërtetë të dhunës së tij ndaj meje.

E kam rritur me halle. Sa vinte ai ne rrinim si lepuj në shtëpi. Nuk guxonim as të bënim muhabet. Kohët e fundit nuk ishte në terezi. E humbi fare. Konsumonte edhe raki shumë. Ndoshta humbja e dy djemve e rëndoi shumë Faikun. Do ta falni djalin tuaj dhe a dëshironi të rikthehet në shtëpi? Në asnjë mënyrë. Nuk do ta fal. Shteti nuk duhet ta lirojë nga burgu. Kam dëgjuar se e kanë izoluar në Peshkopi. Ai nuk duhet të dalë nga qelia.

Nëse del ne do të vuajmë me keq. Ai tani është bërë më i egër. Nuk e ka menduar se unë do ta denoncoja. Po doli na mbyti të gjithëve. Para se të lirohet Faiku shteti duhet të marrë masa për sigurimin e jetës sime. Unë kam marrë urdhër mbrojtje, por edhe pse ai është në burg unë kam frikë.

HATIXHE ALLA ME DITËLINDJEN E VJEHRRËS Kjo ngjarje e rëndë e dhunës brenda familjes zbuloi një tjetër detaj. Nëna e Faik Allës, Hatixhe Alla është 76 vjeçe. Autoritetet e gjendjes civile e kanë pajisur atë me pasaportë të re, por si ditëlindje i kanë vendosur atë të vjehrrës, të vitit 1915. Për koincidencë edhe vjehrra e Hatixhes që është dhunuar këto ditë e kishte emrin Hatixhe. 101­vjeçarja nuk jeton, por Policia lokale i është referuar dokumentit të identifikimit kur ka publikuar deklaratën për dhunimin e 101­vjeçares. “Kur vajta në Polici, tregon Hatixhe Alla, policët më thanë: Po ti nuk qenke 101 vjeçe! U tregova kartën e identitetit dhe ato panë se unë jam e datëlindjes 1915. U habitën edhe ata”, saktëson Alla e rrahur nga i biri. Ajo shton se nuk është ankuar askund për këtë parregullsi në dokumente. Thotë se merr pension dhe voton rregullisht.

Temat
LajmeRajon

Të afërta