“Djalin ma arrestuan vetë pse është aktivistë i Vetëvendosjes” (Video)

Nexhibe Arifi, nëna e Atdhe Arifit, njërit prej të arrestuarve nga Policia e Kosovës në mëngjesin e sotëm, ka thënë për KALLXO.com se djalin ia kanë arrestuar vetëm pse është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Arsyeja e vetme pse ma arrestuan djalin është se ai është aktivist i Vetëvendosjes”, tha Nexhibe Arifi pak momente pasi policia ia arrestoi djalin në shtëpinë e saj në lagjen Mati në Prishtinë.

Policia ka konfirmuar se aksioni është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe lidhet me sulmin me granatë që iu bë ndërtesës së Kuvendit në natën e 4 gushtit.

Ajo ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë në shtëpinë e saj ka qenë i paparalajmëruar dhe se, sipas saj, policia nuk kanë prezantuar asnjë urdhër të gjykatës.

“Pa kurrfarë paralajmërimi, veq kur na kanë ardhur, nuk kam ditë a jam në ëndërr a çka është ka ndodh. Kanë hy në dhomë nuk na kanë lënë as me u vesh edhe e kanë arrestuar djalin, se është aktivist i Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.

Sipas saj, policia i ka shqetësuar edhe banorët qiraxhinj në shtëpinë e saj.

Bashkë me Atdhe Arifin, i arrestuar është edhe Egzon Haliti.

Sipas Nexhibe Arifit, Policia nuk ka lejuar fotografime apo xhirime gjatë aksionit dhe u ka konfiskuar telefonat të gjithë atyre që kanë tentuar të filmojnë.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për media në orën 12 lidhur me zhvillimet fundit ku pritet që të deklarohen edhe për aksionin e sotëm të Policisë ku arrestuan gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe zëdhënësi i partisë, Frashër Krasniqi.

Temat
LajmeVend

Të afërta