Qeveria për RTK-në: Partitë politike të heqin dorë nga kërcënimet

Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin me mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së familjes së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala.

Qeveria konsideron se ky akt kriminal, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë kosovare.

“Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të ndriçojnë këtë rast dhe që kryesit e nxitësit e tij të përballen me forcën e ligjit, dhe po ashtu që të merren të gjitha masat për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen. Qeveria e Kosovës, po ashtu, shpreh përkrahje të plotë për përfaqësuesit e mediave në misionin e tyre fisnik për informimin e shoqërisë dhe për konsolidimin e fjalës së lirë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, Qeveria u bën thirrje përfaqësuesve të partive politike që të heqin dorë nga gjuha e dhunës, ultimatumet, kërcënimet dhe shantazhet që së fundi i kanë adresuar ndaj RTK-së dhe disa mediave tjera private, të cilat janë pasuar me sulme të tilla.

Temat
LajmeVend

Të afërta