Lajme

Ndahet nga jeta këngëtarja e muzikës popullore Naile Hoxha

By Dijart Dyla

August 29, 2016

Shkodra humb një tjetër zë të magjishëm të kënges popullore qytetare. Këngëtarja Naile Hoxha mbylli sytë në moshën 82 vjeçare në azilin e qytetit të Shkodres, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës, duke lënë pas një karrierë të pasur artistike dhe një vend bosh, në plejadën e atyre artistëve që ky qytet nxori ndër vite.

Me një zë melodioz, përherë me buzëqeshjen karakteristike në fytyrën e saj, ajo ishte një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun, interpretuese e dhjetëra këngëve që në moshën 13 vjeçare kur hodhi hapat e parë të karrieres, për tu pasuar më pas në Radio Shkodra, e kompeticione të rëndësishme kombëtare.

“Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj, janë vetëm disa nga këngët që ajo këndoi plot pasion, duke prekur edhe skenat jashtë Shqipërie.

Naile Hoxha ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe një ndër këngëtaret e preferuara të regjimit të asaj kohe. Ajo iku duke lënë pas një repertor të pasur dhe një origjinalitet në muziken popullore qytetare, por edhe duke mbajtur pengun se brezat e ri nuk po arrijnë të ruajnë traditën e bukur që Shkodra ka patur.