Hoxhaj e Gentiloni, pajtohen për bashkëpunim më të madh Kosovë-Itali

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, nisi vizitën zyrtare në Romë ku është takuar me homologun italian, Paolo Gentiloni, me të cilin ka bashkëbiseduar për zhvillimet më të fundit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Hoxhaj dhe Gentiloni janë pajtuar për një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik dhe politik, që do të nisë së konkretizuari shumë shpejt me një forum të madh ekonomik mes dy vendeve që pritet të mbahet në Itali.

Po ashtu, janë diskutuar edhe një sërë marrëveshjesh bilaterale që janë në process e sipër të negocimit.

“Ishte një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor ku ngritëm dhe u pajtuam për shumë fusha që janë me interes për të bashkëpunuar mes Kosovës dhe Italisë”, shkruan në deklaratën e MPJ-së.

“Dhe jam i kënaqur të flas për një kapitull të ri të marrëdhënieve që nuk do të ndalet vetëm në konsultimet vjetore politike por edhe bashkëpunimet konkrete ekonomike, tregtare dhe kulturore”.

“U pajtuam që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të organizojmë një forum të madh ekonomik mes vendeve tona që do të mbahet në Itali. Një mundësi e madhe për të prezentuar Kosovën para intevstitorëve italianë”, citon komunikata të ketë thënë ministri Hoxhaj.

Një çështje tjetër diskutimi ishte koordinimi më i ngushtë për projektet që do të derivojnë dhe pritet të mbështeten nga Procesi i Berlinit pasi takimi i radhës mbahet vitin e ardhshëm në Itali.

Kryediplomati kosovar ka kërkuar mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave për kosovarët disa ditë para votimit në Parlamentin Evropian, si dhe për një sërë organizatash ndërkombëtare ku Kosova synon anëtarësimin.

Hoxhaj i ka shprehur ngushëllime homologut të tij për tragjedinë nga tërmeti që goditi Italinë ku mbetën qindra të vdekur.

Temat
LajmeVend

Të afërta