Sistemi arsimor publik mbetet një nga më të kritikuarit nga ana e shoqërisë kosovare për shkak të shumë dobësive dhe mangësive që ka.
Por njëkohësisht sektori publik ia arsimit mbetet më i lakmuari dhe më i pëlqyeri kur vjen në radhë regjistrimi i i fëmijëve nga ata të çerdhe e deri në universitete.
Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për vitin shkollor 2015/2016, tregojnë se kosovarët megjithatë i besojnë më shumë sektorit publik të arsimit sesa atij privat, ndonëse në këtë të fundit janë bërë investime dhe përparime të dukshme krahasuar me atë publik.
Kështu, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë përgatitur “Statistikat e Arsimit 2015/2016”, publikim që ofron informata statistikore për parashkollorë, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, si dhe informata statistikore për arsimin universitar për sektorin publik dhe privat.
Sipas rezultateve të dala nga publikimi “Statistikat e Arsimit 2015/2016”, rezulton se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollor ishte 27 mijë e 508, prej tyre në sektorin publik 26 mijë e 154 fëmijë ose 95.1%, ndërsa në sektorin privat 1 mijë e 354 fëmijë ose 4.9%, raporton lajmi.net.
Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 263 mijë e 779, prej tyre në sektorin publik ishin 261 mijë e 136 ose 99%, ndërsa në sektorin privat 2 mijë e 643 ose 1%.
Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 87 mijë e 847, prej tyre në sektorin publik 85 mijë e 377 ose 97.2%, ndërsa në sektorin privat ishin 2 mijë e 470 nxënës ose 2.8%.
Sa i përket numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin special në vitin arsimor 2015/2016 ishte 357 nxënës.
Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar në vitin akademik 2015/2016 ishte 120 429 studentë, prej tyre në universitetet publike 73 mijë e 111 studentë, ose shprehur në përqindje ishin 60.7%, ndërsa në kolegjet private ishte 47 318 studentë, ose 39.3%.