Etrit Berisha gjithnjë e më pranë largimit nga Lazio. Portieri shqiptar nuk u përfshi në listën e të grumbulluarve nga trajneri Simone Inzaghi edhe për ndeshjen e Olimpicos me Juventusin, një sinjal i qartë se divorci mes palëve është shumë pranë.
Sipas medieve italiane, 27-vjecari nuk hyn në planet e Inzaghit, për këtë arsye do të merren në konsideratë ofertat që do të vijnë në drejtit të “gardianit” kuqezi.
Nga Seria A janë disa klube që po presin Berishën, më konkretisht Torino dhe Crotone.
Sigurisht që ekipi “granata” e tërheq më shumë portierin shqiptar, por edhe skuadra e inkuadruar në elitën e futbollit italian mbetet një alternativë e mirë.
Në Torino, Berisha do të gjente një tjetër shqiptar, mbrojtësin Arlind Ajeti.
Kujtojmë se Torino drejtohet nga trajneri serb, Sinisa Mihajlovic.