Sipas një vëzhgimi të bërë nga një fondacion amerikan, rreth 40% e popullsisë amerikane vuan nga pagjumësia në periudha të caktuara të vitit.
Mungesa e gjumit mund të shkaktojë probleme serioze në shëndet, si sëmundje zemre dhe depresion. Para se t’i drejtoheni mjekut për këtë problem, përpiquni ta zgjidhni atë me anë të regjimit ushqimor, sepse në fund të fundit, ne jemi çfarë hamë. Ja disa nga ushqimet që ndihmojnë për një gjumë më të mirë.
Qershitë – Gjatë një studimi, pjesëmarrësit konsumuan 1 filxhan lëng qershie të athët çdo mëngjes dhe një tjetër filxhan pasdite për 2 javë. Pas studimit ata treguan se kishin përmirësim të gjumit. Kjo ndodh për shkak të pranisë së lartë të melatoninës tek qershitë. Melatonina është një hormon që shkakton përgjumje, gjithashtu ndihmon edhe sistemin riprodhues. Nëse nuk dëshironi të pini lëng, mund të konsumoni një filxhan me qershi para se të flini dhe efekti do të jetë i njëjtë.
Peshku – Peshqit, veçanërisht karkalecat e detit, peshku ton dhe merluci, janë shumë të pasur me triptofan, i cili është një qetësues natyral. Triptofani gjendet edhe tek gjeli i detit, por te peshqit gjendet në sasi shumë më të mëdha.
Bari i bletës – Kjo bimë, pjesë e familjes së mentes, është përdorur prej shumë shekujsh si një ilaç që sjell gjumin. Sipas studimeve të kryera, ai është më efektiv kur përdoret i kombinuar me një bimë tjetër të quajtur sanëz. Nga studimi doli se, 81% e pjesëmarrësve që kishin probleme të vogla gjumi dhe morën një kombinim të barërave, patën përmirësim më të ndjeshëm se ata që u kuruan me mjekime nga farmacitë. Çaji i këtyre 2 bimëve mund të përgatitet si më poshtë:në një filxhan me ujë të nxehtë vendosim 1-2 lugë çaji bar blete dhe 1 lugë çaji sanëz (të thara), dhe e lëmë për 5 -10 minuta.
Kamomili – Një tjetër bimë që, ashtu si bari i bletës, është përdorur prej mijëra vitesh si ilaç gjumi, është edhe kamomili. Në një eksperiment të kryer mbi minjtë, ai pati të njëjtin efekt qetësues që kishin edhe barnat, dhe në studimin e vetëm të kryer mbi njerëzit, kamomili uli nivelin e stresit më shumë se e ulnin barnat.
Bananet – Bananet janë të pasura me kalium dhe magnez, dy minerale që nxisin qetësimin e muskujve dhe si pasojë shkaktojnë edhe çlodhje të trupit. Mungesa e magnezit shkakton dhembje muskujsh dhe pagjumësi, prandaj edhe konsumimi i bananeve është shumë i këshillueshëm në këto raste.
Spinaqi – Përveç se është i pasur në kalium dhe magnez, spinaqi ka përmbajtje të lartë kalciumi, një mineral i rëndësishëm për të bërë një gjumë të shëndetshëm. Kalciumi e nxit trupin të prodhojë melatoninën, hormonin që ndihmon trupin të mbajë ritmin e rrahjeve të zemrës. Të njëjtat efekte ka edhe konsumimi i perimeve të tjera në ngjyrë të gjelbër.
Qumështi – Ashtu si spinaqi edhe nënproduktet e qumështit janë të pasura me melatoninë, që përveç të tjerave rrisin edhe sasinë e kalciumit në organizëm, studimet kanë treguar se mungesa e kalciumit shkakton pagjumësi.
Bajamet – Ato janë shumë të pasura me magnez dhe kalcium. Këshillohet të konsumohen 10-15 kokrra para gjumit, ose mund të konsumohet gjalpi i bërë nga bajamet dhe efekti do të jetë i njëjtë./gazeta shendeti/