Lajme

U premtua çdo vit, por harrohet aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës

By Dijart Dyla

August 26, 2016

Kosova as këtë vit nuk do të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës (KiE), ani pse një gjë e tillë u premtua se do të ndodhte për disa vite radhazi.

Zyrtarët shtetërorë vazhdimisht flasin për rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, por përtej kësaj, as një hap në këtë drejtim.

Teksa dikur jepeshin afate kohore që ky aplikim do të ndodhte këtë vit ose tjetrin, situata vazhdon të mbetët e njëjtë, për më tepër, aktualisht zyrtarët kompetentë nuk po e përmendin fare këtë çështje.

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj i cili këtë detyrë e kishte edhe në vitin 2014-të, kishte paralajmëruar se Kosova po atë vit do të aplikojë, meqë siç kishte deklaruar ai, vendi kishte përmbushur kriteret politike dhe teknike.

Madje atëkohë kishte thënë se mos-anëtarësimi i Kosovës në KiE është shkelje e të drejtave të njeriut dhe është kundër parimeve për të cilat është themeluar kjo organizatë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, tregoi për lajmi.net se kur Kosova do të bëhet pjesë e KiE-së.

“Nuk mund të jap afate kohore, mirëpo ajo çfarë mund të them është se Kosova është duke punuar për të aplikuar në atëherë kur të konsiderohet momenti i duhur për një anëtarësim të frytshëm”, sqaroi Murtezaj.

Ndër tjerash, zv/ministri theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës për Kosovën, është synim dhe hap logjik i radhës në kuadër të politikës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kohë më parë zyrtarët qeveritarë patën deklaruar se shtetet e Quint-it kishin bërë kërkesë ndaj Qeverisë që të prisnin derisa të përfundojë Procesi i Stabilizim Aosciimi (MSA) dhe që pas asaj Kosova të aplikojë për në KE.

MSA hyri në funksion më 1 prill të këtij viti. Por që nga ajo kohë, ende nuk është aplikuar në KiE.

Për këtë, zv/ministri Murtezaj e bëri të qartë se aplikimi në Këshill të Evropës nuk është proces edhe aq i shpejtë sa mund të jetë menduar më herët.

“Nuk është gjëja më e mirë apo aspekti i aplikimit të shpejtë, mirëpo gjëja e duhur që do të bëhet është aplikimi në kohën e duhur pasi që të jenë bërë përgatitjet e duhura dhe pasi që është arritur një nivel i bashkëpunimit të nevojshëm me shtetet përkrahëse të Kosovës në mënyrë që aplikimi i saj në Këshillin e Evropës të dal suksesshëm”, vlerësoi ai.

Nga ana tjetër njohës të integrimeve evropiane, vonesën për aplikim në këtë organizatë e kishin konsideruar si një taktikë nga Qeveria, meqë sipas tyre, ata nuk janë të sigurt nëse e kanë përkrahjen për këtë.

“ E rëndësishme është që të ketë një siguri për përkrahje dhe më pas të aplikohet”, patën vlerësuar njohësit e këtyre çështjeve.

Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij.