Arsyet e lirimit të Azem Sylës nga paraburgimi

Pas qëndrimit prej afër 4 muaj në paraburgim, gjyqtarja amerikane e EULEX-it, Jennifer Seal, vendosi që të miratojë ankesat e avokatëve mbrojtës dhe të lirojë nga paraburgimi Azem Sylën.

Azem Syla u lirua mbrëmë nga paraburgimi, ndërsa KALLXO.com siguroi arsyetimin e vendimit të gjykatës.

Pas qëndrimit prej afër 4 muaj në paraburgim, gjyqtarja amerikane e EULEX-it, Jennifer Seal, vendosi që të miratojë ankesat e avokatëve mbrojtës dhe të lirojë nga paraburgimi Azem Sylën.

Nga paraburgimi së bashku me Azem Sylën u liruan edhe Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni dhe Hajrullah Berisha.

Gjyqtarja Seal, në vendimin e saj konsideron se përkundër se ka një rrezik të përgjithshëm të ndikimit në dëshmitarë, prokuroria nuk ka arritur ta argumentojë këtë.

“Provat materiale ashtu siç janë paraqitur nga prokuroria nuk konstatojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me Azem Sylën dhe aktivisteve të vazhdueshme për pengimin të procedurave,” shkruan Seal në vendimin e saj.

Seal, këtë vlerësim e jep edhe përkundër vlerësimit të saj se ka të ngjarë që Azem Syla si udhëheqës i pretenduar i grupit të marrë një rol udhëheqës më shumë se të pandehurit e tjerë.

Rrethanë tjetër që Seal përmend në arsyetimin e saj për të liruar nga paraburgimi Azem Sylën është edhe fakti se shumica e hetimeve që rezultuan me arrestimet e muajit prill 2016, tanimë më kanë përfunduar.

Si rrethanë lehtësuese gjyqtarja e procedurës paraprake Seal, ka përmendur edhe moshën, lidhjet familjare dhe pozitën e tij në shoqëri, e të gjitha këto rrethana i ka vlerësuar se janë në favor të zbutjes së masës së sigurisë për Azem Sylën.

Megjithëse gjyqtarja Seal në pikat e përmendura më lart ka refuzuar pretendimet e prokurorisë për rrezikun e arratisjes dhe ndikimit në dëshmitarë nga Azem Syla, ajo pranon se dyshimi i bazuar për këto vepra ende qëndron.

“Akoma ekziston dyshimi i bazuar sipas nenit 187 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 paragrafi 1.9 të KPP-së, sepse ka informacione që do të bindnin një vrojtues objektiv se veprat penale të supozuara kanë ndodhur dhe se ka më shumë gjasa sesa jo që këta të pandehur t’i kenë kryer veprat për të cilat dyshohen”, thuhet në vendimin e gjyqtares Seal.

Neni 187 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës përshkruan kushtet e caktimit të paraburgimit, ndërsa paragrafi 1 si kusht të parë e parashikon ekzistimin e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Sipas avokatit, nga ky grup i të arrestuarve në paraburgim kanë mbetur vetëm Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili iu dorëzua forcave të rendit dy ditë më vonë.

Temat
LajmeVend

Të afërta