Lajme

Mustafa nis riformatimin e Qeverisë duke shtuar zyrtarë

By Dijart Dyla

August 24, 2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dekalroi se në konsultim të afërt dhe me mirëkuptim të plotë ka aprovuar kërkesën për lirimin e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, nga detyra e zëvendëskryeministrit.

Sipas Mustafës, ky vendim është marrë me kërkesë të Kujtim Shalës dhe me qëllim që ai të angazhohet në tërësi në ushtrimin e detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dikaster shumë i rëndësishëm për realizimin e programit të Qeverisë së Kosovës.

“Kontributi i ministrit Shala në kuadër të Qeverisë do të jetë maksimal dhe i plotë nga pozita e ministrit”, deklaron kryeministri.

Ai tha se në ditët në vijim, do të zhvillojë konsultimet e nevojshme në kuadër të LDK-së për plotësimin e postit të zëvendëskryeministrit nga kjo parti.

Ka kohë që vazhdimisht kryeministri Mustafa ka paralajmëruar riformatimin e kabinetit qeveritar, por është pritur të ketë zvogëlim të resorëve e jo shtim të zyrtarëve.

Kjo për faktin se Qeveria e Kosovës, ka ekzekutivin me numrin ndër më të madh në rajon. Sidoqoftë, ky është njoftimi i plotë i kryeministrit. /lajmi.net

Më poshtë mund të gjeni kërkesën e ministrit Shala:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa

Së pari, Ju përgëzoj për punën Tuaj dhe të Qeverisë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Për shkak të angazhimeve të mëdha, sidomos gjatë këtij viti, dhe me qëllim që të mund t’u përkushtohem në tërësi angazhimeve të mija në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kërkoj që të më lironi nga detyra e zëvendëskryeministrit të

Republikës së Kosovës.

E çmoj si përvojë tepër të rëndësishme punën dhe ushtrimin e këtij funksioni të lartë shtetëror që nga dhjetori i vitit 2014.

Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë kësaj kohe dhe shpreh përkushtimin tim për të vazhduar angazhimet e mija në përputhje me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.