Lajme

Konkurs për lokalet në Zonën historike

By Dijart Dyla

August 24, 2016

Zejtaria ka nisur të zhduket në Prishtinë. Ajo kryesisht është aktive në Zonën historike të kryeqytetit. Komuna e Prishtinas po mëton që të hartojë një dokument që do të trajtonte lokalet afariste në atë zonë.

Komuna ka hapur konkurs projektimi për “Lokalet afariste ne zonën historike”. Qëllimi kryesorë i këtij projekti, sipas Komunës, krahas përmirësimit të kushteve të zhvillimit të zejtarisë, është rindërtimi i pjesës së vjetër të qytetit-trashëgimisë kulturo-historike si pasuri që do ndikonte në rritjen e rikujtimit të përgjithshëm të kryeqytetit dhe në rritjen e vlerës së kësaj hapësire si pikë gravituese nga vizitorët.

Afati për konkurrim do të jetë i hapur deri me 15 shtator, shkruan lajmi.net.

Konkursi është i ndarë dhe, çmimet do të ndahen për secilën pjesë. Çmimi i parë është 5000 euro, i dyti 3000, dhe i treti 2000 euro.

Zona e cila pritet të trajtohet është pjesa e zonës historike të qytetit të Prishtinës, është pikërisht në vazhdimësi të qendrës historike, ku në rrethinë gjinden disa objekte të mbrojtura si Muzeu i Kosovës, objekti ku ishte vendosur ish Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hamami i Madh, Kulla e Sahatit, Kompleksi i EminGjikut etj. Nga objektet sakrale veçohet Xhamia e Çarshisë, Xhamia e madhe, Xhamia e Jashar Pashës, shtëpi për banim individual dhe shatërvani po ashtu objekt i mbrojtur kulturo historik.

Deri pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina e kishte edhe çarshinë e vjetër të mbuluar. Pjesa e çarshisë së vjetër është aktualisht në gjendje të mjerueshme me shumë lokale me destinim të përkohshëm me materiale të dobëta. Ndërkohë, pjesën e brendshme të lokacionit të synuar është me disa drunjtë cilët po ashtu synohet të ruhen, sipas përshkrimit tw shkurtër për konkursin e projektimit

Ndërkaq, ndërtimi i pjesërishëm i lokaleve të çarshisë në zonën historike të qytetit me përfshirje të tregut është njëkohësisht në linjë me nismën që Komuna e Prishtinës e ka ndërmarrë me qëllim krijimin e një tregu për prodhimet bujqësore vendore si dhe kthimin e zejevetë vjetra familjare të cilët kanë qenë traditë dhe e kanë bërë të njohur përmes promovimit intensiv të vlerave zejtare ekonomike duke ndikuar kështu një efekt zinxhiror në trashëgimi kulturore, ekonomi, bujqësi, mirëqënie sociale dhe zhvillim të komunitetit.