Kundër Demarkacionit protestohet edhe në Tiranë

Të hënën më 29 gusht, duke filluar nga ora 12 pritet të mbahet tubim protestues para Ambasadës së Kosovës në Tiranë, në kundërshtim të marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ky tubim i organizuar nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka për çëllim senzibilizimin e opinionit shqiptar që të bëhen bashkë për ta kundërshtuar marrëveshjen, raporton lajmi.net.

“Më 29 gusht ora 12:00, para Ambasadës së Kosovës në Tiranë në solidarizim me qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës e Diasporës mblidhemi për ta kundërshtuar këtë marrëveshje”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Thonë se marrëveshja aktuale me Malin e Zi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës me 4 gusht 2016 dhe u dorëzua në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, përbën tradhti kombëtare, u nënshkrua tinëz në 26 gusht 2015 nga Hashim Thaçi, edhe pse kishte kundërshtime të paraqitura në Kuvend e terren, e një rezolutë parlamentare ia ndalonte nënshkrimin para raportimit./lajmi.net

Ky është njoftimi i organizatorëve të proetëstës në Tranë:

Qytetarë dhe personalitete nga Republika e Shqipërisë kanë ndjekur me shqetësim të madh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ekspertë të shquar të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë, e me gjerë me argumente dhe fakte të pakontestueshme tregojnë se shqiptarët me këtë akt të fundit ndërkombëtar vijojnë të humbin territore, sovranitet, subjektivitet politik, në Ballkan dhe Evropë.

Dëmi në territore vlerësohet të jetë së paku 8,200 hektarë (82 km2) territor nga rajoni i Dukagjinit. Komisioni shtetëror i Kosovës ia dorëzon arbitrarisht Malit të Zi.

Pika strategjike ushtarake, si majat e vargmalit të Dukagjinit, burime jetike ujore, dhe trashëgimi natyrore e bjeshkëve të zonës, prona shqiptarësh, tokë mbi të cilën kanë rënë dëshmorë të kombit shqiptar, përfshirë edhe të luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës, i përkasin Kosovës historikisht dhe juridikisht. Asnjë qeveri, pra as Qeveria Pronto e Kosovës, nuk ka të drejtë ta falë atë në emër të çfarëdolloj interesi. Pjesët historike, juridike dhe strategjike të shqiptarëve janë copa kombi dhe jo kambiale të qeveritarëve të përkohshëm, tepër të përkohshëm.

Qeveritarët që dhanë toka ose dobësuan kombin, nuk e mbyllën kurrë me sukses detyrën e tyre. Kujtojini të gjithë. Askush nuk gëzon vend unanim në histori. Por dëmi që bënë ata njihet si i tillë unanimisht. Që të mos e përsërisim historinë, le të vijojmë shprehjen tonë publike përmes këtij tubimi protestues.

Marrëveshja aktuale me Malin e Zi, që u miratua nga Qeveria e Kosovës me 4 gusht 2016 dhe u dorëzua në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, përbën tradhti kombëtare, u nënshkrua tinëz në 26 gusht 2015 nga Hashim Thaçi, edhe pse kishte kundërshtime të paraqitura në Kuvend e terren, e një rezolutë parlamentare ia ndalonte nënshkrimin para raportimit. Me përgjegjësi qytetare ne mund ta izolojmë këtë krim vetëm në qeveri dhe ta shpëtojmë Kuvendin e Kosovës nga një akt i lartë tradhtie.

Kundër marrëveshjes qytetarët kanë nënshkruar më shumë se kurrë në histori: 205 mijë njerëz. Sheshi i Prishtinës ka parë tubimet më të mëdha të historisë së vet. Për herë të parë personalitetet e shquar të shkencës, politikës e shoqërisë civile në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë, u gjendën më afër se kurrë në argumentimet e tyre. Për herë të parë qytetarët po e kërkojnë të drejtën nga krahinat dhe lagjet e tyre. Qeveria qendrore po reziston t’i dëgjojë. Kësaj here ka kryer krim të përmasës kombëtare dhe nuk po guxon të kthehet pas. Ajo kërkon ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvend në seancën plenare të 1 shtatorit 2016.

Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se nuk janë vetëm para diktatit të kësaj qeverie të korruptuar dhe policore. Kufijtë e Kosovës, territori i saj janë çështje e kombit shqiptar dhe e gjithë shqiptarëve. Marrëveshja me Malin e zi nuk është as më shumë as më pak se sa tradhti kombëtare. Nuk ka rrugë tjetër përpos ndaljes së saj.

Më 29 gusht ora 12:00, para Ambasadës së Kosovës në Tiranë në solidarizim me qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës e Diasporës mblidhemi për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.

Këshilli Organizativ

Temat
LajmeRajon

Të afërta