Ambasada amerikane dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm me minahedhës në drejtim të hapësirave të Radio-Televizionit të Kosovës.
Në një reagim për media Ambasada amerikane thotë se e ka parë atë si një sulm shtesë kundër demokracisë Kosovare dhe avancimit të mundimshëm të Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike.
“Një grup i vogël paftyrësh tanimë ka shtuar edhe një sulm mbi lirinë e mediave në listën e saj të sulmeve kundër parimeve demokratike dhe vlerave Euro-Atlantike”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada amerikane thotë ndër të tjerash se fuqimisht përkrahë përpjekjet e institucioneve Kosovare për sundimin e ligjit në hetimin e këtyre krimeve.
“Qëndrojmë pranë qytetarëve të Kosovës duke i kundërshtuar ata të cilët më parë do të shërbeheshin me taktika terroriste, sesa me ato të njerëzve të lirë dhe demokratik”, thuhet në fund të reagimit.