Pas interesimit të jashtëzakonshëm dhe impaktit pozitiv që pati Panairi i Policisë, i organizuar në Tiranë në muajin qershor, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vendosën që panairi të zhvillohej edhe në jugun e vendit.
Duke përfituar edhe nga sezoni turistik, për hapjen e Panairit të Policisë në jug, u zgjodh qyteti i Vlorës.
Në hapjen e Panairit ishte i pranishëm edhe vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ndërsa pas dy ditësh në Vlorë, ky panair është zhvendosur në qytetin e Himarës, ku do të qëndrojë i hapur nga ora 19:00 deri në orën 00:00.
Panairi është vizituar nga shumë turistë të huaj dhe vendas, të cilët të bërë kureshtarë nga pajisjet e Policisë së Shtetit, nuk kanë hezituar që të bëjnë foto të shumta me makinat e policisë dhe të tjera pajisje të ekspozuar buzë detit në Himarë.
I pranishëm në këtë eveniment është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako si dhe dy zëvendësministrat e Brendshëm, Stefan Çipa dhe Elona Gjebrea.
Gjithashtu, në këtë panairi janë të pranishëm edhe drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe drejtori i Përgjithshëm i kufirit në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza.
Kujtojmë se pas dy ditësh, Panairi do të zhvendoset në qytetin e Sarandës.
Gazeta Express ju sjellë foto nga ky panair, ku duket se atmosfera është mjaft e këndshme. /GazetaExpress/