Kosovarët i kanë borxh shtetit të tyre 680 milionë euro

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për faljen e borxheve, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Rreth 520 mijë ishte thënë se është numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare mbi 680 milionë euro.

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për faljen e borxheve publike për personat juridik dhe fizik në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se qytetarët kanë mundësi që deri më 02 shtator të ushtrojnë të drejtën e tyre për të përfituar nga falja e borxheve pasi “nuk do të ketë afat shtesë”.

Ndërkohë, njohës të rrethanave ekonomike në vend, thonë se pas kësaj date Qeveria e Kosovës mund të fillojë me vjelje të dhunshme të borxheve që qytetarët kanë ndaj shtetit.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për faljen e borxheve, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik deri më 31 dhjetor të vitit 2008. Rreth 520 mijë ishte thënë se është numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare mbi 680 milionë euro.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se procesi për faljen e borxheve po vazhdon. Sipas tij, ende nuk dihet se sa është shuma e borxheve të falura deri më tani. Por, duke e pasur parasysh kohën prej një viti, sa ka zgjatur procesi i faljes së borxheve, Shahini thekson se nuk ka arsye për shtyrje të afatit.

Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet afati, si dhe të ofrojnë edhe alternativa të tjera me të lehta për shlyerjen e borxheve. Drejtori i Qendrës për Hulumtime Srategjike dhe sociale, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se institucionet qe kanë pasur për detyrim arkëtimin e mjeteve për shërbimet që bëjnë, nuk kanë pasur një strategji efektive për vjeljen e këtyre mjeteve.

“Problemet do të zvarriten edhe pas datës 3 shtator. Qeveria ka mundësi që të shkojë në arkëtim të dhunshëm apo të angazhojë armatë të tërë të përmbaruesve privatë me qëllim të vjeljes së këtyre obligimeve. Por, kjo ka rrezikun e vet! Nuk pres që Qeveria të jetë aq e krisur që përnjëherë të insistojë në arkëtimin e 700 milionë eurove, sepse kjo do të gjunjëzonte qoftë ekonominë, qoftë edhe qytetarin si konsumator”, thekson Rexhepi.

Ai shprehet se edhe nëse do të ketë shtyrje të afatit për faljen e borxheve, duhet të krijohen modalitete tjera të cilat iu mundësojnë qytetarëve t’i përmbushin obligimet e tyre më shpejtë.

“Ne propozojmë që Qeveria e Kosovës të fshijë të gjitha ngarkesat që janë në emër të ndëshkimeve, gjobave dhe interesit, në mënyrë që nga qytetarët të insistojë të bëjë pagesën vetëm të kryegjësë dhe atë prej vitit 2009 deri në vitin 2015. Kjo do ta lehtësonte barrën e tyre”, thekson Rexhepi.

Ditë më parë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, iu kishte bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përfitojnë nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe t’i nënshkruajnë kontratat para skadimit të afatit me 02 shtator. Sipas një njoftimi për media, ata kishin treguar se janë nënshkruar mbi 21 mijë kontrata për falje të borxheve.

Temat
LajmeVend

Të afërta