30 ditë në shtëpi për Glauk Konjufcën

Është caktuar masa prej 30 ditësh arrest shtëpiak edhe për shefin e Grupit Parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Vetëvendosje ka thënë se dënimi për deputetin Driton Çaushi dhe shefin e deputetëve Glauk Konjufca, është veprim në vazhdën e aktivitetit autoritar të Qeverisë së Kosovës.

“Si e tillë, kjo masë e caktuar ndaj deputetëve Çaushi e Konjufca është e padrejtë dhe e papranueshme, teksa në anën tjetër është tregues i panikut që e ka kapluar Qeverinë, e cila nuk po arrin ta shtyjë përpara faljen e tokës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Sipas kësaj partie, mbajtja në arrest shtëpiak e deputetëve që mbrojtën integritetin dhe sovranitetin e Republikës dhe lënia në liri e kriminelëve që me vite shkatërruan e po shkatërrojnë shtetin, është pasqyra më e mirë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.

“Këta pushtetarë që janë demaskuar me zë e figurë, që me çdo kusht duan t’i avancojnë përpara projektet e tyre antishtetërore e kriminale, me asnjë kusht nuk do të tolerohen që ta copëtojnë Republikën, herë duke falur territor e herë duke instaluar organizime sipas planeve shoviniste të Serbisë”, thuhet në reagim. “Prandaj, këtyre kriminelëve që janë instaluar në krye të shtetit me metoda kriminale, siç i është bërë me dije edhe më herët, iu përsëritet prapë se burgosja dhe maltretimi nuk e ndalë dot përpjekjen për mbrojtje të Republikës. Rezistenca ndaj këtij pushteti do të jetë veç me e fuqishme dhe e pathyeshme”.

Temat
LajmeVend

Të afërta