Qeveria e Kosovës e gatshme ta ndihmojë Shkupin edhe me FSK-në

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është e gatshme ta ndihmojë Shkupin pas përmbytjeve, në çfarëdo forme. Qeveria ka shprehur gatishmërinë të dërgojë edhe njësitet e kërkim shpëtimit të FSK-së.

Në njoftimin për media, thuhet se Qeveria e Kosovës i ka përcjellë me shqetësim dhe dhimbje të madhe ngjarjet e shkaktuara nga moti i lig, që kanë ndodhur orët e fundit në Maqedoni.

Qeveria ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë që të ofrojë ndihmën e saj të pakursyer për shtetin fqinj Maqedoninë, në çdo aspekt ku ka mundësi, për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, thekson gatishmërinë për të dërguar në ndihmë njësite të specializuara për kërkim dhe shpëtim në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në rast nevoje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta