Lajme

Salihaj tregon se kush vendosë për zgjedhje

By Dijart Dyla

August 06, 2016

Pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës që ta dërgojë për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, partnerët e koalicionit akoma nuk janë të sigurt nëse do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje, e cila ka tensionuar tej mase gjendjen politike, madje edhe të sigurisë në vend.

Krijimi i kësaj situate të paqartë dhe rrezikut të dështimit të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, nga analistët politikë lidhet ngushtë edhe me fatin e koalicionit qeverisës, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se nuk mund të ketë ndonjë parashikim paraprak rreth fatit të marrëveshjes për demarkacionit, kurse sa i takon rrezikut nga shkuar në zgjedhje të reja, që mundë t’i shpallë njëanshëm PDK-ja, nga inati i dështimit eventual të demarkacionit, Salihaj thotë se ai vendim nuk mund të merret në asnjë mënyrë pa pëlqimin e faktorit ndërkombëtar.

“Është vështirë ta parashikojmë se çfarë do të ndodhë nëse nuk aprovohet marrëveshja e demarkacionit, por gjithsesi do të jetë një situatë tepër e vështirë”, theksoi Salihaj.