BE: Revitalizimi i Urës së Ibrit duhet të fillojë para 15 gushtit

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se është arritur përparim për zhbllokimin e marrëveshjes që ndërlidhet me heqjen e barrikadës në urën e Ibrit në Mitrovicë dhe për kodin telefonik të Kosovës”.

Ka përfunduar në Bruksel raundi i bisedimeve mes palës së Kosovës dhe asaj serbe në lidhje me zhbllokimin e marrëveshjeve të cilat janë bllokuar për një vit.

Sipas një komunikate të zyrës së kryeministrit ky raund i bisedimeve ka qenë maratonik dhe ka zgjatur mbi nëntëmbëdhjetë (19) orë.

Minsitrja për Dialog, Eidta Tahiri thotë se ky raund i bisedimeve u fokusua edhe në çështjen e zhbllokimit të marrëveshjes për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Mitrovicës ku bisedimet zgjatën deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

“Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte që sa më shpejtë të fillon procesi i revitalizimit të urës dhe qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte i qartë që kjo çështje nuk mund të zvarritet më tej dhe sipas tyre revitalizimi duhet të filloi para datës 15 gusht 2016.”, thotë Tahiri.

Më tej, shton ajo, se në kuadër të diskutimeve për hapat praktik të revitalizimit u ritheksua që marrëveshja e arritur më 25 gusht 2015 duhet të zbatohet plotësisht, me fjalë të tjera ura e Mitrovicës të funksionalizohet dhe të jetë urë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve sipas planit të dakorduar në dialogun e Brukselit.

“Ishte vlerësim i përbashkët i të tre palëve që hapja e urës për lëvizje të lirë do të jetë simbol i normalizimit të relacioneve mes komuniteteve dhe kjo urë më në fund do të kryejë funksionin e vet si çdo urë në botë që bashkon njerëzit”, thotë Tahiri.

Temat
SportVend

Të afërta