Botë

Erdogan e kritikon Mogherinin: Pas puçit, pse nuk më erdhe në vizitë?

By FIRST CHANNEL

August 02, 2016

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, në një intervistë të dhënë për median italiane “Rai Neës 24”, ka deklaruar se hetimi i djalit të tij nga autoritetet italiane në Bolonjë, mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Gjithashtu Erdogan ka kritikuar zyrtaren e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. “Ajo nuk duhet të kishte folur nga jashtë. Mogherini duhet të vinte në Turqi para së gjithash”, tha ai.

Duke folur sërish për Komisioneren e Lartë të Bashkimit Evropian, Erdogan ka pohuar: “Nëse bombardohet parlamenti italian, çfarë ndodh? Mogherini, që është italiane si reagon? Do thoshte që e kanë bërë mirë që e kanë bombarduar? Do të ishte e shqetësuar në lidhje me pasojat? Perëndimi është në anën e demokracisë apo të grushtit të shtetit? Unë mendoj se është në anën e grushtit të shtetit. Kur në Paris vdesin 5-6 vetë Mogherini shkon me vrap në Francë. Turqia u përball me një goditje të rëndë ndaj demokracisë dhe askush nuk erdhi për ta vizituar”.

Sa i takon çështjes së djalit të tij Bilal, Erdogan ka shpjeguar: “Duhet të kthehet në Bolonjë për të përmbyllur doktoraturën. Në atë qytet më quajnë diktator dhe i bëjnë lavde Partisë Punëtore të Kurdistanit. Pse Italia nuk ndërhyn? Ky është shteti i së drejtës? Im bir është një njeri shumë i mirë që akuzohet për pastrim parash. Më mirë të merren me mafien”, shtoi presidenti turk.