Prezantohet Kosova, konfirmohet një rrezik i madh

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka mbajtur konferencën e radhës para ndeshjes historike, në kuadër të kualifikime për Kampionatin Evropian.

Kosova e drejtuar nga përzgjedhësi, Arben Krasniqi, ndodhet në grup me Ukrainën, Slloveninë dhe Bullgarinë. Me këtë rast, sot u bërë prezantimi zyrtar i Përfaqësueses A, derisa i pranishëm ishte dhe ministri i sportit, Kujtim Shala. Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, pasi falënderoi të pranishmit, tha se pjesëmarrja në kualifikime do të jetë historike.

“Do të jetë një ditë e shënuar pjesëmarrja jonë në këto kualifikime. Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të jemi vetëm pjesëmarrës, por ambiciet tona janë reale, pra do të luftojmë deri në fund. Së bashku me të gjithë ata që po na përkrahin ne do të shkojmë drejt suksesit, e suksesi ynë është të luajmë sa më mirë, e pse jo edhe të besojmë edhe më shumë. Grupi është shumë i fortë, por ne do të përgatitemi për të bërë më të mirën”, tha Belegu.

“I ftoj të gjithë njerëzit kudo në Kosovë, por edhe jashtë që të na përkrahin. Ne po punojmë shumë, por në të njëjtën kohë kemi nevojë për përkrahje. Ditë më parë kemi arritur një marrëveshje me agjencinë “Base” për reklama dhe marketing që është shumë fitimprurëse për FBK-në, por në rast se ndeshjet si vendas detyrohemi t’i luajmë jashtë Kosovës, atëherë kjo marrëveshje do të rrezikohet”, ka thënë Belegu.

Dardan Berisha, njëri prej më të mirëve, kërkoi përkrahje maksimale nga të gjithë tifozët. “Për mua është mburrje dhe krenari prezantimi i Kosovës në gara të nivelit të tillë si kualifikimet për Eurobasket 2017. Secili prej nesh e di përgjegjësinë e vet, andaj që nga fillimi jemi mobilizuar dhe në çdo stërvitje e kemi dhënë maksimumin. Unë edhe më parë kam pasur eksperienca të tilla, por kjo është krejtësisht ndryshe, sepse tani po bëhet fjalë për prezantimin e shtetit tim”, tha ai.

“Grupi ynë në kualifikime është shumë i vështirë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë, por unë besoj në këtë grup që e kemi krijuar, andaj edhe premtoj se do të angazhohemi maksimalisht në parket. I ftoj të gjithë tifozët anekënd Kosovës që të na përkrahin në kualifikime, sepse ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Bëhet fjalë për diçka historike, andaj edhe duhet të mobilizohemi ta bëjmë të tillë”, theksoi Dardani.

Temat
SportVend

Të afërta