Jezu Krishti është një shofer autobusi i dalë në pension. Ai jeton në Bërnli të Anglisë dhe më parë quhej John Edward Birtwhistle. 77-vjeçari e ndërroi emrin në gjendjen civile pasi kuptoi se kishte “veti shëruese” dhe se në jetën e kaluar ishte i biri i Zotit.
Edhe pse thotë se ka aftësi për të shëruar njerëzit, Zoti Krisht nuk shëron dot herpesin e tij. Pensionisti nisi të besonte se ishte i dërguari i Zotit në vitin 1986, kur papritur njerëzit nisën ta thërrisnin me shaka Jezus dhe u bind se ishte Jezusi vetë kur ndihmoi një person të kalonte mpirjen e qafës.
10 vite më vonë, ai e ndërroi emrin në Jezu Krisht. Tashmë, i dalin në ëndërr edhe gjërat që bënte në jetën e mëparshme si Jezu Krishti.
“Kur isha këtu, 2000 vite më parë, mësoja njerëzit se si të jetonin në harmoni me shpirtin dhe natyrën. I mësoja të rrisnin vetë ushqimin, të hanin fruta dhe perime si dhe të pinin vetëm ujë. Njerëzit thonë se Jezusi e ktheu ujin në verë, por unë nuk e bëra këtë. Unë ktheva verën në ujë, pasi alkooli të bën dëm”, tregon Jezu Krishti./TCH