Qeveria miratoi projekt-propozimin për promovim të vlerave evropiane

Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt propozimin për promovimin e vlerave evropiane dhe fuqizimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile, në kuadër të procesit të integrimit evropian. Vlera totale e projektit është 80 mijë euro.

Zëvendësministri i integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi tha se qëllimi i projektit është fuqizimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe ngritjen e informimit të qytetarëve, për aspektet kyçe të integrimit evropian.

“Projekti do të ketë dy komponent kryesore. Në një fuqizimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile, me qëllim të përfshirjes së shoqërisë civile, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe ngritjen e informimit të qytetarëve për aspektet kyçe, të integrimit evropian. Vlera totale e projektit është 80 mijë euro dhe do të zbatojmë në bashkëpunim me këshillin britanik”, tha ai.

Qeveria miratoi dhe nismën për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare të huasë, për zbatimin e protokollit financiar të nënshkruar me 5 korrik 2016, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se fondi që do të huazohet përmes kësaj kredie, do të shfrytëzohet për ndërtimin e impiantit për përpunim të ujërave të zeza.

“Fondi që do të huazohen përmes kësaj kredie, do të shfrytëzohen për ndërtimin e impiantit për përpunim të ujërave të zeza, për komunat Prishtinë, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Bazuar në protokollin financiar të datës 5 korrik 2016 huaja është në vlerë prej 66 milion euro, me normë vjetore të interesit 0.036 për qind, me grejs periudhë 5 vite dhe periudhë të kthimit të kredisë prej 25 viteve”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka miratuar dhe propozim vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Kosovës, si dhe propozim vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e ngrohtores se re të qytetit të Gjakovës.

Qeveria po ashtu ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Qeverisë së Hungarisë dhe Qeverisë së Kosovës, për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar, si dhe nismën për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjes financiare IPA 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE së.

Temat
LajmeVend

Të afërta