Ministrja Hoxha bën emërimet e para në kabinetin e saj

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka filluar kompletimin e stafit të kabinetit të saj politik. Deri më tani, Ministrja Hoxha ka emëruar dy këshilltarë, njofton zyra e saj për informim.
Bëhet e ditur, se në pozitën Shef i Kabinetit, Këshilltare është emëruar Arizona Bërdynaj.

“Bërdynaj ka të përfunduar studimet në lëmin e menaxhmentit dhe informatikës. Ajo ka përvojë mbi 15 vjeçare në qeverisje dhe menaxhim, si në sektorin publik po ashtu dhe në atë privat”, bën të ditur Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa, në pozitën e këshilltarit politik, është emëruar Edmir Sejdiu.

“Edmir Sejdiu është në përfundim të studimeve post-diplomike në fushën e Integrimeve Evropiane dhe Administratës Publike. Sejdiu ka përvojë mbi gjashtë vjeçare në sektorin e shoqërisë civile dhe në fushën e arsimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, Mrikë Karaqi është e angazhuar si asistente ekzekutive.

Gjatë ditëve në vijim, thotë kumtesa, ministrja Hoxha do të emërojë edhe këshilltarët tjerë të Kabinetit, “duke qenë e përkushtuar për fuqizimin e shtetit ligjor, transparencës dhe llogaridhënies”.

Temat
LajmeVend

Të afërta