Lajme

Shala kritikon kreun e Prishtinës se po e shkel ligjin me konkursin për mësimdhënës

By FIRST CHANNEL

July 28, 2016

Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala, ka kritikuar drejtuesit të Komunës se po veprojnë në kundërshtim me ligjin, gjatë hapjes së konkursi për plotësimin e vendeve të punës për mësimdhënës në shkollat e Prishtinës i datës 25 korrik.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se në publikimin e konkursit nuk janë përmendur vendet dhe shkollat specifikisht, ku ka nevojë për mësimdhënës, transmeton lajmi.net

“Në konkurs, në asnjë rast nuk shënon se në cilën shkollë të qytetit a në cilën shkollë të fshatit janë ato vende të lira të punës. Me këtë lloj manipulimi, duke shkelur ligjin, shkaktohet huti dhe mësimdhënësve konkurrentë iu bëhet e padrejtë që në fazën e parë. Ata nuk e dinë se në cilën shkollë po konkurojnë”.

“Shumë keq të bëhen përpjekje të tilla për manipulimin e opinionit dhe të vetë konkurrentëve. Shumë keq që mësimdhënësit e ardhshëm të bien pre e manipulimeve me konkurs kundërligjor që në fillim të realizimit të tij”.

“Komuna, duke i fshehur dhe duke mos i bërë publike shkollat, qoftë në fshatra qoftë në qytet, po i fsheh tendencat e saj të selektimit të konkurrentëve sipas dëshirës dhe jashtë kritereve të transparencës së plotë, madje duke i kamufluar kriteret politike të kryetarit Ahmeties zgjedhjes sipas listave të zyrave të VV”.

“Më e keqja do të ishte të shpallej konkursi e të mos përmenden vendet e lira sipas lëndëve mësimore!!!”, ka shkruar ai.