AKP aprovoi Rregulloren për monitorimin e Trepçës

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e mbajtur të enjten ka diskutuar lidhur me fatin e Trepçës.

Për këtë pikë, sipas një komunikate të AKP-së, pati diskutime të shumta ku u aprovua Rregullorja për monitorimin e Trepçës nga AKP.

“Një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe Menaxhmentin e AKP-së konsiderohet Trepça dhe pati diskutime të shumta në lidhje me këtë ndërmarrje të rëndësisë së veçantë për ekonominë e Kosovës ku u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes Trepça si dhe aprovoi Rregulloren për monitorimin e ndërmarrjes shoqërore ‘Trepça’ nën administrimin e AKP-së”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.

Në këtë mbledhje, Bordi diskutoi gjerësisht për aktivitetet e fundit të AKP-së dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen dhe në këtë kuadër Bordi shqyrtoi planin e punës të Agjencisë për periudhën e mbetur të vitit 2016 të paraqitur nga menaxhmenti dhe pas diskutimeve e aprovoi atë. Po ashtu diskutoi dhe e miratoi buxhetin vjetor të Agjencisë për vitin e ardhshëm 2017.

Gjatë mbledhjes, raportoi Komiteti i Auditimit i Bordit të Drejtorëve dhe doli me udhëzime për Menaxhmentin që të përgatitë Planin e Implementimit për adresimin e të gjeturave të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të Njësisë së Brendshme të Auditimit.

Gjatë këtij takimi Bordi aprovoi raportet e pagesave për kreditorët e 11 ndërmarrjeve shoqërore me shumë rreth 250 mijë euro. Po ashtu, Bordi aprovoi raportet e Komisionit për shitjen e 28 banesave të NSh-ve tek shfrytëzuesit e ligjshëm bazuar në Ligjin në fuqi.

Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes së pronës së NSh “Auto Moto” dhe NSh “Ina Zagreb” për nevojat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, e paraqitur konform vendimit përfundimtar të Qeverisë dhe e miratoi këtë kërkesë.

Bordi shqyrtoi dhe aprovoi një numër të qiradhënieve të aseteve të NSh-ve. Gjithashtu shqyrtoi raportin e Komisionit përkatës në lidhje me përcaktimin e statusit të personin juridik “Llotaria e Kosovës” dhe në harmoni me Ligjin e AKP-së e liroi atë nga administrimi i Agjencisë dhe e miratoi bartjen e kësaj ndërmarrje nën administrim të Qeverisë së Kosovës

Temat
LajmeVend

Të afërta