Shëndet

A të shpëton puna nga Alzajmeri?

By Egzona Krasniqi

July 28, 2016

Një profesion stimulues dhe një jetë sociale aktive e mbrojnë trurin nga impakti negativ i ushqyerjes së pashëndetshme. Profesionet që kërkojnë të menduar kompleks, në veçanti mësuesit dhe doktorët, janë më të mbrojtur nga sëmundja e Alzajmerit.

Një profesion i komplikuar mund të parandalojë shfaqjen e sëmundjes edhe te ata që janë më të rrezikuar prej saj për shkak të dietës së papërshtatshme ushqimore.

Ky është përfundimi i një studimi të gjerë, rezultatet e të cilit u bënë të ditura gjatë konferencës mbi demencën, e mbajtur në Toronto të Kandasë.

Shkencëtarët mendojnë se humbja e kujtesës dhe konfuzioni nuk janë pasoja të paevitueshme të plakjes, por shkaktohen nga dëmet që pëson truri, shkruan shekulli.com.al

Një stil jetese jo i shëndetshëm, duhanpirja, konsumimi i pijeve alkoolike, mungesa e aktivitetit fizik dhe sasitë e mëdha të ushqimit me yndyrna mund ta rrisin rrezikun e dëmtimeve që çojnë në demencë ose Alzajmer, forma më e shpeshtë e kësaj sëmundjeje.

Por njerëzit që kanë nivel të lartë të rezervave konjitive janë të aftë të përballen me dëmtime të tilla. Shkencëtarët i shohin profesionet e mësipërme si superfuqitë që luftojnë demencën.