Kryeministri, Edi Rama ka bërë një reagim në facebook pas deklaratës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë ku thuhej se është kërkuar që shtatë ligjet të miratohen në një seancë të jashtëzakonshme më 11 gusht.
Rama thekson se, mos miratimi i shtatë ligjeve bllokon hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa për deklaratën e bërë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha se po synohet prishja e konsensusit të arritur, Kryeministri thotë se e gjitha kjo është një sajesë. Kreu i PSsë i rikthehet sërish konsensusit duke provokuar liderin e opozitës pasi thotë sePD dha konsensus vetëm pasi ishin bërë 94 vota pro reformës.
Reagimi i Ramës:
E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vetingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës!
Ankohen se një dorë e zezë po prish konsesusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç (Vetingun); pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!
Dhe vazhdojnë akuzat qesharake direkte apo të nënkuptuara, kundër një komploti që e paskan shpartalluar me fuqinë imagjinare të një konsensusi, të cilin në fakt e dhanë (kur u ça muri shurdh i Shqupit e ishin bërë 94 votat e nevojshme) mu në zgripin e humnerës së pasojave të rënda, politike e personale, që i prisnin në raport me SHBA e BE, pas 21 korrikut, të gjithë ata që do votonin kundër reformës. Po ja e vërteta rreth kësaj sajese të re, shprehur nga aleatët strategjikë përmes mediave.