Eksperti i sigurisë: Nuk ekzistojnë kampe të ISIS në Kosovë

Pas raportimeve të mediave ndërkombëtare që në Kosovë Sauditet kultivojnë terroristë dhe se në Kosovë ndodhen të paktën 5 kampe të ISIS reagojnë edhe ekspertë të sigurisë në vend duke i cilësuar si lajme të pavërteta.

Duke i vlerësuar si lajme të sinkronizuara dhe të lansuara me dashje Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) Florian Qehaja në një prononcim për Gazetën Express tha në mënyrë të prerë se nuk ka asnjë indikacion të sigurisë që dëshmon kampe ushtarake të formacionit terrorist DAESH apo grupeve ekstremiste në territorin e Kosovës. Eksperti i sigurisë Qehaja rrezikun e Kosovës nga ISIS e vlerëson të mesëm dhe më të ulët nga vendet perëndimore.

Ai pranoi që në të kaluarën, ka pasur grupime të caktuara të mbështetësve të ekstremizmit të cilët kanë vepruar në formë të mbledhjeve e diskutimeve, ku në versionin më të ashpër është promovuar gjuha e urrejtës dhe bashkëngjitja e më vonshme në luftërat në Siri dhe Irak por më tej nënvizoi se kjo në asnjë formë nuk ka implikuar stërvitje të karakterit thjesht ushtarak.

Për raportimin e Agjencisë se lajmeve Ruse Sputnik që në Kosovë ndodhen 5 kampe trajnimi të ISIS Florian Qehaja tha “Nëse i kthehemi raportimeve të agjencive të lajmeve ruse, ato kryekëput bazohen në një agjendë politike.”

” Mendoj që qëllimisht është identifikuar rritja e ekstremizmit të dhunshëm si mjet për njollosjen e Kosovës dhe jetësimin e qëllimeve me agjendë kundër shtet-ndërtimit në Kosovë. Kjo po bëhet në premisa të ekzagjerimit së kësaj çështje duke e proklamuar Kosovën si vatër të terrorizmit, një kërcënim i sigurisë i cili përbën shqetësimin kryesor për Evropën në vitet e fundit. Mendoj që kësaj makinerie propagandistike duhet ti përgjigjemi me argumente dhe me një vigjilencë.” deklaroi Drejtori i (QKSS)./Gazeta Express

Temat
LajmeVend

Të afërta