Në luftën kundër Greqisë rreth vitit 1880, shqiptarët u shquan për heroizëm.
Të paktën kështu mësojmë nga një fotografi që studiuesi Bajram Mjeku ka postuar në facebook, transmeton lajmi.net
Në përshkrimin që ka bërë Mjeku, dhe nga ajo që shkruhet në foto në osmanishten e vjetër e përkthyer nga dr. Sadik Mehmeti, thuhet se “Sulltani dekoron Batalionin e Prizrenit i cili është shquar për heroizëm në luftë me Greqinë”.
Postimi i Mjekut:
Batalioni shqiptar i Prizrenit në Perandorinë Osmane
Në këtë fotografi është Batalioni shqiptar i Prizrenit, i cili vepronte në kuadër të Perandorisë Osmane. Ushtarët shqiptarë dallohen mirë me uniformë të ushtrisë turke dhe plisa mbi kokë.
Fotografia nuk dihet kur është realizuar, pasi nuk ka datë, por supozohet të jetë shkrepur rreth vitit 1880.
Në medaljen lartë fotografisë në anën e djathtë, shkruan se Sulltani dekoron Batalionin e Prizrenit, i cili është shquar për heroizëm në luftë me Greqinë.
Teksti është shkruar në Osmanishten e Vjetër dhe deshifrimin e ka bërë dr. Sadik Mehmeti, ligjërues në Degën e Arkivistikës në UP.
Autorit i këtyre radhëve këtë fotografi e zotëron nga viti 2001 dhe shpreh keqardhje pse nuk i kujtohet nga cila udhë ka mbërrijtur fotografia në duart e tij.