Infeksion bakterial i lëkurës dhe indeve nën lëkurë, që njihet ndryshe edhe si celulit, është një ndër shqetësimet më të shpeshta që haset jo vetëm femrat, por në masë edhe tek meshkujt. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon për “dita”, se në cilat raste duhet të shqetësohemi nga këto infeksione bakteriale të lëkurës dhe nënlëkurës, si dhe masat që duhet të marrim për të shmangur ndërlikimin e tyre.
Çfarë janë infeksionet bakteriale të lëkurës dhe nënlëkurës?
Celuliti (Cellulitis) është një infeksion bakterial i lëkurës dhe indeve nën lëkurë. Ky duhet dalluar nga impetigo, i cili është një infeksion shumë sipërfaqësor i lëkurës. Celuliti është një infeksion që i kapërcen shtresat sipërfaqësore të lëkurë, depërton në shtresat më të thella të saj, të dermës dhe të indit nënlëkuror. Bakteret kryesore përgjegjëse për shkaktimin e celulitit janë “Streptocoçus” dhe “Staphylocoçus”. Ndërkohë që celuliti mund të jetë edhe si shkak i baktereve të tjera, siç janë “Pneumokoku”, “Clostridium”, apo edhe specie të gjinisë “Haemophilius infulenzae”.
Duke iu referuar gjinisë dhe moshës kush preket më tepër?
Celuliti është mjaft i zakonshëm në praktikën e përditshme mjekësore dhe prek njësoj njerëzit e të gjitha racave dhe moshave. Po ashtu meshkujt dhe femrat preket në mënyrë të barabartë. Edhe pse celuliti mund të ndodhë në njerëzit e çdo moshe, ai është më i zakonshëm te personat e moshës mesatare dhe të moshuar. Celuliti nuk është një sëmundje ngjitëse.
Me çfarë simptomash karakteristike shfaqet?
Sa i takon simptomave karakteristike, celuliti fillimisht shfaqet si një zonë e vogël, e butë, e ënjtur dhe e skuqur dhe që përhapet ngadalë në shtresat e poshtme të lëkurës. Lëkura e përfshirë nga celuliti mund të ndihet e ngrohte gjatë prekjes me dorë. Nëse kjo zonë e skuqur fillon dhe zgjerohet shumë, personi i prekur mund të ketë kompromentim të gjendjes së përgjithshme të shoqëruar me ethe, temperaturë, djersitje, ulje të oreksit dhe prekje të gjëndrave limfatike pranë zonës së lëkurës së infektuar.
Cilat janë zonat ku shfaqen më shpesh?
Celuliti mund të ndodhë kudo në trup, por zona më e shpeshtë përfshin këmbët (kurrizi i këmbës), zona e të ndenjurave (muskujt glutealë), e ndjekur nga krahët dhe pastaj vjen koka dhe zonat e qafës. Në rrethana të veçanta celuliti mund të zhvillohet në bark, ose në kraharor, në zona të traumatizuara, në plagë, ose në vende ku janë kryer ndërhyrje kirurgjikale. Njerëzit obezë mund të zhvillojnë shpesh celulit në lëkurën e barkut dhe në zonën e ijeve. Po ashtu zona të veçanta të vendndodhjes së celulitit përfshijnë ato rreth syrit (periorbitale), faqet (bucale), celuliti i fytyrës apo celuliti i zonës perianale. Forma të tjera të inflamacionit (infeksionit) me natyrë joinfektive mund të imitojnë celulitin si për shembull njerëzit me qarkullim të dobët të gjakut në zonën e këmbëve shpesh zhvillojnë skuqje të lëkurës dhe luspëzim të saj. Kjo përfaqëson një nga llojet e dermatiteve dhe shpesh në mënyrë të gabuar ngatërrohet me infeksionin bakterial të celulitit. Prandaj diagnoza diferenciale është shumë e rëndësishme.
Si mund të trajtohet celuliti në këtë rast?
Shumë mjekë janë të përfshirë në trajtimin e celulitit, duke filluar që nga mjekët e familjes, mjekët e urgjencës, specialistët infektivë, dermatologët apo edhe kirurgët. Në vënien e diagnozës përveç situatës klinike janë të rëndësishme edhe ekzaminimi i gjakut, apo kulturat e indeve të prekura. Terapia në shumicën e rasteve kërkon antibiotikë të zgjedhur, natyrisht vetëm ne këshillimin e mjekut përkatës. Në të gjitha rastet, mjekët zgjedhin një trajtim të bazuar në shumë faktorë, duke përfshirë vendndodhjen dhe shtrirjen e infeksionit, llojin e baktereve që shkaktojnë infeksionin, si edhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Natyrisht, kur celuliti vjen në terren të një sëmundjeje tjetër bazë, rol kryesor përveç trajtimit të celulitit ka edhe trajtimi i asaj sëmundjeje.
Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve bakteriale të lëkurës
Në shumicën e rasteve celuliti zhvillohet në zonat ku lëkura dëmtohet, si për shembull prerje, shpime, pickim insektesh apo plagë të vogla.
Në disa raste celuliti në dukje nuk ka dëmtime të lëkurës, por shkak i këtyre rasteve mund të jenë të çarat mikroskopike të lëkurës siç janë për shembull thembrat e ashpërsuara.
Mjaft rëndësi kanë edhe infeksionet mykotike të lëkurës, sidomos ato që zhvillohen midis gishtave të këmbës. Kjo është tipike për sportistët, si edhe personat që mbajnë gjatë gjithë ditës këpucë, ose atlete duke zvogëluar mundësinë e ajrosjes së këmbëve dhe djersitjen e tyre.
Më tej edhe sëmundje inflamatore të lëkurës, si: ekzema, psoriasis, ose dëmtime të lëkurës të shkaktuara nga terapitë e rrezatimit mund të çojnë në celulit. Veçanërisht të prirur për të zhvilluar celulitin janë personat që vuajnë nga diabeti, ose sëmundje që kompromentojnë funksionin e sistemit imunitar, si për shembull pacientët me HIV, ose ata që marrin kimioterapi dhe droga të ndryshme që shtypin sistemin imunitar.
Celuliti është mjaft i shpeshtë edhe tek pacientët që vuajnë nga çrregullimet e qarkullimit të gjakut në vena, apo reduktimi i qarkullimit të lëngjeve limfatike apo pamjaftueshmëria venoze, obeziteti, operacione të ndryshme, si edhe përgjatë periudhave fiziologjike të shtatzanisë.
Celuliti nuk është sëmundje ngjitëse sepse ai është një infeksion i shtresave më të thella të lëkurës dhe shtresa e sipërme siguron një mbulesë mbi infeksionin.
Celuliti mund të parandalohet, si të veproni
Në disa rrethana celuliti mund të parandalohet nga higjiena e duhur. Gjithsekush duhet të kujdeset në radhë të parë për këmbët e veta. Kujdes i veçantë duhet treguar për thembrat. Ato duhen zbutur dhe lustruar rregullisht.
Nuk duhen përdorur këpucë të parehatshme dhe të paajrosura. Kur jeni të detyruar të qëndroni për orë të tëra me këpucë, ose atlete përdorni çorape pambuku për të thithur djersën dhe jo t’i vishni ato zbathur.
Çarjet dhe plagët midis gishtave përbëjnë nevojë urgjente për trajtim mjekësor.
Personat që vuajnë nga diabeti dhe obeziteti duhet të jenë shumë kujdes për të mbajtur nën kontroll sëmundjen e tyre dhe peshën trupore.
Ecjet sportive dhe ushqyerjet e shëndetshme luajnë një rol të rëndësishëm për forcimin e imunitetit.
Celuliti është një gjendje e shërueshme, por në shumicën e rasteve trajtimi me antibiotikë është i domosdoshëm për të çrrënjosur infeksionin dhe për të shmangur përhapjen e tij, si edhe komplikacionet. Në përgjithësi celuliti trajtohet në shtëpi duke përdorur mjekime nga goja dhe lokale.
Rrallëherë celuliti kërkon trajtim spitalor. Gjendja septike (përhapja e infeksionit në të gjithë organizmin) është një komplikacion serioz i celulitit. Kjo situatë mund të vijë si rezultat i mostrajtimit si duhet të celulitit.