Kushdo prej nesh ka provuar jo rrallë herë, ndjesinë e fryrjes së barkut, apo të parehatisë së barkut (diskomforti abdominal). Në individë të ndryshëm edhe përjetimi i kësaj ndjesie është i ndryshëm. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se në përgjithësi kjo ndjesi tregon për praninë e gazeve në zorrë, ose në stomak. Sipas saj, ndjesia e fryrjes, si dhe ajo e gurgullimave të zorrëve, e lëvizjes së ajrit në to, nuk duhet ngatërruar me fryrjen e vërtetë të barkut të shkaktuar nga sëmundje të ndryshme. Janë ekzaminimet ato që përcaktojnë diagnozën e saktë të sëmundjes, çka konfirmon më pas edhe terapinë trajtuese që duhet të ndjekë pacienti. Në vijim të shkrimit mjekja tregon faktorët që ndikojnë më shpesh në krijimin e fryrjes së barkut, si dhe masat që duhet të merren për të lehtësuar parehatinë dhe dhimbjet e shkaktuara prej tyre.
Cilët janë shkaktarët më të zakonshëm të ndjesisë së fryrjes së barkut?
Në përgjithësi fryrja e barkut vjen si rezultat i prodhimit të tepruar të gazit në zorrë, ose në stomak, por edhe për shkak të pengesave fizike, ose funksionale të zorrëve. Prodhimi i gazrave shkaktohet nga bakteret brenda zorrëve, zakonisht në zorrën e trashë. Gjithashtu mund të vijë edhe nga tretja jo e mirë apo çrregullimet e thithjes (absorbimit) të sheqernave. Fryrjet e stomakut shkaktohen zakonisht nga ajri i gëlltitur, gjë e cila shkakton parehati të barkut.
Nga se ndodh gëlltitja e ajrit?
Arsyet e gëlltitjes së sasive të mëdha të ajrit (aerophagia) janë ngrënia shumë shpejt e ushqimit, ankthi si edhe përdorimi i pijeve të gazuara. Njerëzit shpesh janë të pavetëdijshëm se ata kanë gëlltitur ajër. Po ashtu ajër gëlltisin edhe foshnjat gjatë ushqyerjes me shishe. Megjithatë, njerëzit përpiqen ta nxjerrin ajrin e futur, nëpërmjet gromësirave gjë që sjell lehtësimin e sikletit. Nëse pas këtij veprimi nuk ndihet lehtësim, atëherë kjo duhet të merret si një shenjë se diçka tjetër është shkaku i këtij shqetësimi. Prandaj duhet të paraqiteni te mjeku për të bërë ekzaminimet e duhura.
Si mund të përcaktohet që kemi të bëjmë me fryrje të barkut si shkak i këtyre gazrave?
Fryrja mund të përcaktohet nga vëzhgime të tilla si nevoja për të liruar rripin e pantallonave, apo për të zbërthyer ndonjë kopsë. Për shkak të grumbullimeve te herëpashershme të gazrave, fryrja bëhet e vazhdueshme. Gjithmonë, duhet të jemi të kujdesshëm në përshkrimin e ndjesisë. E rëndësishme është që fryrja nga gazrat lehtësohet pas disa orësh.
Krahas shkaqeve të përmendura më lart cilat janë patologjitë që mund të ndikojnë në fryrje të barkut?
Por, ka edhe mjaft probleme shëndetësore që japin fryrje të vazhdueshme të barkut, të cilat mund të shkaktohen nga tumoret brenda hapësirës së barkut (intra-abdominale), apo nga grumbullimi i lëngjeve në hapësirat e brendshme të barkut (asciti). Këto janë patologji mjekësore, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Fryrja është akti i kalimit te gazit të zorrëve në drejtim të anusit. Çdo person mund të kryejë mesatarisht 10-20 herë kalime të tilla ne ditë. Gazi në aparatin tretës ka vetëm dy burime: nga ajri i gëlltitur, ose nga prodhimi i baktereve të zorrëve. Bakteret prodhojnë kryesisht hidrogjen dhe metan në mënyrë të veçantë nga zbërthimi jo i plotë i sheqernave. Bakteret, gjithashtu prodhojnë dioksid karboni, por ky thithet mjaft shpejt dhe absorbohet nga zorrët. Sheqernat zakonisht nuk zbërthehen plotësisht në personat që kanë mangësi gjenetike të enzimave tretëse, përgjegjëse për sheqernat. Prandaj shumë persona referojnë se kanë intolerancë ndaj sheqernave. Po ashtu shumë njerëz kanë intolerancë nga drithëra të ndryshme, nga fruta dhe perime të caktuara, si për shembull fasule dhe lakër. Këto produkte në rast se nuk treten përfundimisht në zorrë shërbejnë për bakteret e zorrëve si burim për prodhimin e gazrave. Duhet të përmendim se në organizmin tonë ndodhen baktere të caktuara, të cilat formojnë atë që ne e quajmë flora bakteriale saprofite, mjaft e domosdoshme kjo në procesin e tretjes. Prania e gazit në zorrë vihet në lëvizje nëpërmjet kontraktimeve (tkurrjeve) të vazhdueshme të zorrëve, të cilat bëjnë të mundur largimin e gazrave nëpërmjet anusit. Një pjesë e gazit mund të thithet nëpërmjet zorrëve dhe të kalojë në gjak. Me gjakun udhëton dhe në fund nxirret jashtë nga mushkëritë nëpërmjet aktit të frymëmarrjes. Vërtet gazi prodhohet nga disa lloje bakteresh brenda zorrëve, por shumica e tij eliminohet nga disa lloje të tjera bakteresh.
A ndikon konstipacioni në fryrjen e barkut?
Po në shumë raste, fryrja e barkut mund të shkaktohet edhe nga konstipacioni (kapsllëku). Në këtë rast me largimin e pengesës vjen edhe rehatia e barkut. Po ashtu ky problem mund të vijë edhe nga çrregullimi i funksionit të muskujve të stomakut dhe të zorrëve. Megjithatë, disa njerëz janë tepër të ndjeshëm ndaj fryrjes së zorrëve. Ata e ndjejnë këtë siklet edhe pas ushqyerjeve me vakte normale, në mënyrë të veçantë gjatë ushqimeve të yndyrshme apo sheqernave.
Kur duhet të paraqitemi te mjekut?
Nëse ky diskomfort është i vazhdueshëm padyshim që përbën shqetësim, njëherësh edhe urgjencë për të kërkuar ndihmën e specializuar mjekësore. Historia mjekësore e pacientit është e rëndësishme dhe bën vlerësimin e duhur. Mjeku do të bëjë diagnozën diferenciale nëse ka vend për probleme serioze, apo për çrregullime të tretjes. Pacienti pyetet me kujdes për mënyrën e ushqyerjes dhe mënyrën se si i shfaqen shqetësimet. Përveç kësaj kryhen ekzaminime të tilla siç janë ekzaminimet radiologjike (echo, skopi e stomakut apo edhe skaner i barkut në rast se është e nevojshme). Ekzaminime të tjera janë ato të gjakut dhe të materialeve fekale. Megjithatë, në varësi të simptomave të paraqitura nga pacienti edhe mjeku vendos për ekzaminimet që duhet të bëhen.
Si trajtohet ky çrregullim?
Në bazë të rezultateve të ekzaminimeve përcaktohet edhe terapia e duhur që pacienti duhet të ndjekë sipas të gjitha rregullave të përcaktuara nga mjeku specialist. Në rastin e infeksioneve mund të përdoren antibiotikë, gjithmonë me këshillimin e mjekut. Rëndësi të madhe ka që pacienti të vërë re me kujdes, se cilat ushqime i krijojnë më tepër intolerancë ushqimore. Këto duhet të mbahen shënim dhe të eliminohen nga dieta e përditshme. Ndër ushqimet që shkaktojnë më shumë fryrje barku, për të cilat duhet pasur kujdes, për t’u ngrënë në sasinë e duhur mund të përmendim bishtajoret, produktet e qumështit, kumbullat, dardhat, kërpudhat, lakra e bardhë, si edhe fiqtë. Këto duhen ngrënë në sasira të vogla. Por, mund të ndodhë që edhe të eliminohen fare nga dieta e përditshme nëse pacientët kanë shqetësime të mëdha sa i takon fryrjes së barkut.