Gjendja fibrocistike e gjirit / Si të dalloni rastet kur përbëjnë rrezik për kancer

Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se gjendja fibrocistike e gjirit është një patologji mjaft e shpeshtë, e cila prek më tepër femrat e moshës mbi 30 vjeç. Shqetësimi kryesor në këto raste nuk është thjesht gjendja fibrocistike e gjirit, por është në fakt kërcënimi i kancerit të gjirit. Kjo patologji perceptohet si diskomfort dhe parehati në zonën e gjinjve dhe prek rreth 60 për qind të femrave midis moshës 30-60 vjeç. Në të dyja zonat e gjirit krijohen masa të vogla ose ciste, të mbushura me lëng dhe që shkaktojnë dhimbje. Kjo përbën një sëmundje beninje të gjirit (jo kanceroze) që ka ecuri të mirë klinike dhe në mënyrë të veçantë pas periudhës fiziologjike të menopauzës.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të kësaj situate?

Funksioni biologjik i gjëndrave të gjirit është prodhimi i qumështit për ushqyerjen e fëmijës. Indet e gjëndrave përbëhen nga vilet e qelizave sekretore (qelizat që prodhojnë qumështin) dhe kanalet e qumështit (të cilët janë tuba të vegjël). Faktori më i rëndësishëm që kontribuon në gjendjen fibrocistike të gjirit, është padyshim variacioni normal hormonal i gruas gjatë ciklit të saj mujor menstrual. Gjatë kësaj periudhe në trupin e gruas ndodhin shume ndryshime, pasi ajo përgatitet çdo muaj për një shtatzani të mundshme. Hormonet më të rëndësishme janë estrogeni dhe progesteroni. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen e gjirit, duke bërë që qelizat e tij të rriten dhe të shumohen. Në këtë situatë kanë ndikimin e tyre edhe hormone të tjera siç janë insulina (hormoni që ul nivelin e sheqerit në gjak), hormonet e tiroides, të cilat prodhohen jashtë gjëndrës së gjirit, por që kanë një ndikim të fuqishëm tek ajo. Të njëjtat hormone ciklike që përgatisin indet e gjëndrave të gjirit për mundësinë e prodhimit të qumështit (laktacionin), janë gjithashtu përgjegjëse për periudhën menstruale të gruas. Megjithatë, ka një dallim të madh midis asaj që ndodh në gjëndrat e gjirit dhe mitrës (uterusit). Në mitër, këto hormone nxisin rritjen dhe shumëzimin e qelizave të saj. Nëse shtatzania nuk ndodh, atëherë ky shtim qelizash eliminohet nga trupi i gruas gjatë menstruacioneve. Në gji këto hormone stimulojnë rritjen e tyre, rritjen e aktivitetit të enëve të gjakut, metabolizmin qelizor. E gjithë kjo veprimtari mund të çojë në ndjenjën e diskomfortit (parehatisë) së gjirit dhe në mbajtjen e lëngjeve. Ndjesi që gratë e përjetojnë si fryrje të përgjithshme para periudhës së tyre menstruale. Qelizat e gjirit i nënshtrohen një procesi të vdekjes së programuar të qelizave. Gjatë kësaj periudhe aktivizohen enzima që realizojnë tretjen e qelizave nga brenda. Por, gjatë këtij procesi mund të dëmtohen kanalet e gjirit dhe lobulet (dhëmbëzohen, fibrotizohen) dhe mund të zhvillohen më tej edhe procese inflamatore (infeksioze). Këta faktorë mund të luhaten nga muaji në muaj, si dhe janë individualë për çdo grua. Ata madje, mund të ndryshojnë në zona të ndryshme të të njëjtit gji.

Cilat janë shenjat klinike më të shpeshta?

Në disa gra shenjat klinike të gjendjes fibrocistike të gjirit mund të jenë të buta. Simptomat ndodhin zakonisht në periudhën para menstruacioneve. Mund të jenë dhimbje të gjirit, ndjesia e fryrjes së përgjithshme, veçanërisht e barkut, por ato mund të prekin edhe gunga gjatë prekjes së gjinjve me dorë. Procesi fillon në një formë të lehtë qysh në pubertet, për t’u zbutur në menopauzë, pas të cilës gati shuhet fare. Si rregull gjendja fibrocistike ka tendencë të jetë simetrike (bilaterale) dhe ndikon tek të dy gjinjtë.

Pse është i rëndësishëm diagnostikimi i sindromit fibrocistik?

Problemi themelor është kërcënimi i kancerit të gjirit. Sindromi fibrocistik në vetvete është beninj, por gungat fibrocistike mund të imitojnë ato të kancerit të gjirit. Sindromi fibrocistik ndonjëherë e bën të vështirë zbulimin e kancerit për shkak të ndryshimeve që pëson gjëndra e gjirit. Kur simptomat klinike shkojnë e vijnë në varësi të ciklit menstrual, atëherë kemi të bëjmë më tepër me sindromin fibrocistik dhe e kundërta, në rastin kur ato janë vazhdimisht të pranishme duhet të paraqitemi sa më shpejt te mjeku i familjes. Natyrisht që shenjat klinike nuk janë absolute. Prandaj gratë duhet të kryejnë ekzaminimet mjekësore rutinë, të përcaktuara sipas protokolleve të posaçme. Çdo grua në radhë të parë duhet të mësojë nga mjeku të ekzaminojë vetë gjirin, sidomos praninë e gungave. Kur evidentohen gungat është mjeku ai që bën diagnozën diferenciale. Ekzaminime të tilla si mamografia, apo eko e gjirit, janë të zakonshme në këto raste. Nëse situata paraqitet e komplikuar pas këtyre ekzaminimeve, atëherë biopsia përcakton diagnozën përfundimtare.

Çfarë rekomandohet?

Kontrolle të rregullta të gjirit te mjeku çdo 6 muaj, sidomos ato gra që kanë histori familjare me kancer të gjirit, ovareve, apo edhe kancer të prostatës tek meshkujt. Mbi moshën 40 vjeç rekomandohet mamografi 1 herë në vit, shoqëruar ose jo nga eko e gjirit (sipas rekomandimit të mjekut specialist). Terapia e sindromit fibrocistik konsiston në lehtësimin e dhimbjeve më preparate të tilla si paracetamoli dhe ibuprofeni. Por, edhe me këto nuk duhet abuzuar, sepse do të na duhet të përballemi me efektet e tyre anësore. Ka të dhëna se luan rol pozitiv një grupim i vitaminave të tilla si: Vitamina C, A, E dhe B6. Në rast se simptomat klinike nuk tolerohen lehtë, atëherë gjen vend edhe terapia hormonale, gjithmonë me këshillimin e mjekut specialist. Kujdes duhet treguar në këto raste edhe për sëmundje të tilla si: diabeti mellitus (diabeti i sheqerit) apo problemet me tiroiden. Për sa i përket dietës ka të dhëna se kufizimi i kafeinës (kafe, coca-ola, çaji, çokollatat) luan rol pozitiv. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetuar shkencërisht. Kjo mund të jetë edhe individuale, e ndryshme nga personi në person.

Kategoritë më të rriskuara nga kanceri i gjirit

Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo grua. Ju duhet të jeni edhe më të kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse:

Nëna, motra apo gjyshja juaj kanë pasur kancer të gjirit.
Jeni mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën.
Periodat ju ka filluar para moshës 12 vjeç.
Periodat ju kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç.
Nuk keni lindur kurrë fëmijë.
Keni lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç.
Jeni mbipeshë.
Pini tepër duhan dhe alkool.
Kryeni aktivitet të pakët fizik.

Si të bëni vetëkontrollin e gjirit

Shumë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë, të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku. Vet-kontrolli i gjirit ka rëndësinë e vet, gjithmonë nëse realizohet në mënyrë korrekte. Prandaj është e këshillueshme që vetëkontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku. Vet-kontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar qysh nga mosha 20 vjeç pavarësisht se gjinjtë mund të jenë normal. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund t’ju ngatërrojnë. Në periudhën e menopauzës, vetë- kontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që ju ta keni më të lehtë për tu kujtuar. Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj ju do të bëheni familjar me ta, do të njihni se si janë ata zakonisht dhe kështu do të vini re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta. Vetëkontrolli i gjirit është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë, apo duke qëndruar para pasqyrës. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me radhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë. Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj, kontrollo, prek dhe shiko të gjithë sipërfaqen e gjirit duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.

Temat
Shëndet

Të afërta