Policia e Kosovës e pranon që ka shumë armë ilegale në duart e kosovarëve, por nuk përmend se sa është ajo shifër.
Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë kosovare dhe vetë institucionet e sigurisë.
Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët, që qarkullojnë në Kosovë, thuhet se janë shkaktarët kryesorë për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimesh që kanë ndodhur.
Institucionet e Kosovës, të mbështetura edhe nga disa organizata ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë në fillim të këtij muaji, me rastin e ditës ndërkombëtare për shkatërrimin e armëve të vogla, kanë shkatërruar rreth 2,400 armë të vogla dhe të lehta.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se numri i armëve ilegale në duar e qytetarëve mendohet të jetë i lartë, gjë që, sipas tyre, paraqet shqetësim dhe rrezik për sigurinë.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se për konfiskimin e armëve ilegale, policia ka plane të veçanta.
“Posedimi i armëve pa leje, mund të paraqesë problem në gjithë botën, e jo vetëm në rajonin e Kosovës, sepse çdo posedim i kundërligjshëm i armëve është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Mund të themi se ende ka prezencë të armëve në duart e qytetarëve, mirëpo kjo dukuri, nga viti në vit është duke u përmirësuar”, theksoi Kelani.
Institucionet përgjegjëse të sigurisë, sipas organizatave joqeveritare në Kosovë, që merren me siguri, thanë se institucionet e kosovare, ende nuk kanë arritur t’i fusin nën kontroll ose të ulin ndjeshëm numrin e madh të armëve të vogla dhe të lehta, të cilat qarkullojnë në territorin e Kosovës.
Kosova, në korrik të vitit 2015, ka miratuar ligjin e ri për armët, me të cilin ligj persona, të cilët posedojnë armë pa leje, mund të gjobiten dhe të marrin dënime me burg.
Analistët e sigurisë thonë se institucionet nuk po e zbatojnë siç duhet Ligjin për armët.
Për mungesën e zbatimit të ligjit për armët ilegale, flet edhe njëri nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës.
Fadil Demaku, nënkryetar i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se ligji që është aprovuar nga Kuvendi për armët, është shumë i mirë, por sipas tij, ai nuk po zbatohen siç do të duhej.
“Problematika e vazhdueshme te ne ende është niveli i zbatueshmërisë së ligjit. Kjo çështje u përket organeve të tjera që janë të thirrura për një zbatim 100% të ligjit. Kjo çështje do ta bënte që armët pa leje të largohen nga duart e qytetarëve”, tha Demaku.
Në hulumtime të ndryshme lidhur me armët ilegale në Kosovë, thuhet se përveç rrezikimit të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, armët në posedim të paligjshëm çdo ditë paraqesin rrezik për qytetarët e rëndomtë, pasi ata i ekspozohen përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta./REL/