VV: Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen kurrë me diktaturën

Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur Qeverisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës pasi këto të fundit kanë reaguar për aksionin e kësaj Lëvizje ndaj Ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni pas hedhjes së ngjyrës në veturën.

Në reagimin e VV-së thuhet se të dyjat thonë që aksioni ynë ka rrezikuar jetën e njerëzve, por po ashtu thonë se Vetëvendosje me aksionet e saj e paska dëmtuar procesin eurointegrues të Kosovës, apo anëtarësimin e saj në UNESCO.

“Qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen kurrë me diktaturën

Qeveria e Republikës së Kosovës paska reaguar sot kundër aksionit politik të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, gjegjësisht hedhjes së ngjyrës në veturën e Ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni. Është mjaft indikative që edhe reagimi i Policisë së Kosovës është në harmoni të plotë me atë të Qeverisë.

Të dyjat thonë që aksioni ynë ka rrezikuar jetën e njerëzve, por po ashtu thonë se VETËVENDOSJE! me aksionet e saj e paska dëmtuar procesin eurointegrues të Kosovës, apo anëtarësimin e saj në UNESCO. Nëse ka një faktor të brendshëm që ka ndaluar proceset integruese, atëherë janë pjesëtarët e kësaj Qeverie të zhytur në krim e korrupsion. Kurse, sa për UNESCO-n, partnerët e koalicionit të Rashkës shkaktarin e këtij dështimi e kanë bërë president.

Reagimet zyrtare nuk na e shpjeguan dot se si rrezikohet jeta e njeriut nga ngjyra në veturë, apo në cilat raste aksionet tona kanë rrezikuar jetën e njerëzve.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës nuk e tha asnjë fjalë për deportimet e aktivistëve, që përbëjnë suspendim të rendit demokratik drejt vendosjes së diktaturës. Këtë shpjegim ia ka lënë për detyrë policisë. Të gjithë e dimë që deportimit kanë për bazë urdhrat politikë, dhe jo ligjet. Por fakti që për këtë punë po flet Policia, tregon edhe një herë për nivelin e kapjes së shtetit.

Aktivistja jonë nga Tirana, Dejona Mihali, është ndaluar në kufi përmes një urdhri të pastër arbitrar nga Ministria e Brenshme. Asnjë shpjegim, asnjë procedure ligjore dhe asnjë nga kriteret ligjore për të huajt nuk është argumentuar.

Qeveria e Kosovës, duhet ta dijë që qytetarët e Kosovës nuk do të pajtohen kurrë me diktaturën. Sa më shumë që ajo do ta rrisë shtypjen, aq më të vendosur do ta marrë përgjigjen”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Temat
LajmeVend

Të afërta