Thaçi: Vendimi i GJND-së, u çimentua legjitimiteti për pavarësi

Në përvjetorin e 6-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar këtë ditë.

Thaçi ka thënë se ky vendim mbetet ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare të Kosovës, me të cilin u çimentua legjitimiteti i vullnetit dhe i aspiratave të popullit të Kosovës për pavarësi.

“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e saj këshillues mbi legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Edhe pas gjashtë viteve, ky vendim mbetet ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare të Kosovës, me të cilin u çimentua legjitimiteti i vullnetit dhe i aspiratave të popullit të Kosovës për pavarësi.

Nga kjo ditë, rruga e integrimit në BE dhe NATO është e plotë për tërë rajonin, duke u siguruar kështu paqja afatgjate dhe një e ardhme më e mirë për të gjithë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe në atëkohë, Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada pati thënë se Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë.

“Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, pati thënë Ovada.

Temat
LajmeVend

Të afërta