SHBA: Trump e pranoi nominimin, premton ligj dhe rend

Biznesmeni i pasur amerikan, Donald Trump, e ka pranuar nominimin për president të Shteteve të Bashkuara në Konventën e Partisë Republikane, duke thënë se vendi ballafaqohet me momente të krizave.

“… Ne do të jemi vend i bujarisë dhe ngrohtësisë. Por ne, po ashtu, do të jemi vend i ligjit dhe rendit”, tha Donald Trump, mbrëmë vonë në Klivlend të Ohajos, duke e pranuar nominimin.

Mëtutje ai theksoi se “sulmet kundër policisë” dhe terrorizmi “e kërcënojnë mënyrën tonë të jetës”.

“Secili politikan që nuk e kupton këtë rrezik nuk është i aftë për ta udhëhequr vendin tonë”, tha Trump, i cili kurrë më parë nuk ka pasur ndonjë post publik.

Në zgjedhjet presidenciale më 8 nëntor për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump me gjasë do të ballafaqohet me ish-sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, transmeton Rel.

Fjalimi i tij i pritur gjatë dhe i parashikuar, u bë në ditën e fundit të konventës, që ishte një manifestim katërditësh i përshkruar me tensione, pasi jashtë pallatit ku u mbajt tubimi kishte protesta, ndërsa brenda në sallë u paraqitën republikanë të njohur, që nuk e mbështetën Trump.

Temat
BotëLajme

Të afërta