Ndarja e pushtetit, vë në lëvizje partitë politike

Sipas analistëve politikë, po bëhen gati skenarë për shkuarje të parakohshme në zgjedhje, me qëllim që pas zgjedhjeve të ardhshme të ndahet në mënyrë sa më të mirë “torta” e pushtetit, meqë kur dy partnerët qeveritarë janë partitë më të mëdha në vend, atëherë edhe ndarja e pozitave është më e vështirë. Ndërkohë partitë politike, vijojnë të mos flasin zyrtarisht për këtë çështje.

Duke pasur parasysh mundësinë e prishjes së koalicionit për shkak të pakënaqësive të PDK-së dhe LDK-së dhe sjelljeve të vrazhda të disa njerëzve nga radhët e PDK-së dhe anasjelltas, dyshohet që partitë në pushtet në fshehtësi po përgatiten për zgjedhje të reja. Analistët politikë vlerësojnë, se lufta e vërtetë në mandatin e ardhshëm do të jetë se kush do i bashkohet pushtetit, bashkë dyzimi AAK-NISMA apo AKR, meqë kalimi i pragut nga ana e AKR-së, do t’i prishte planet e tjerëve për arsye, se është partner më i dëgjueshëm dhe më pak kërkues.Sipas tyre, kjo është një Qeveri e imponuar për interesa të agjendave të Brukselit, në mënyrë që ti çojnë proceset e bisedimeve përpara me presion ose jo, të cilat jo gjithherë janë në harmoni me interesat e shumicës qytetare të Kosovës.

Albrim Badallaj, analist politik ka thënë se, sa i përket kësaj mund të ketë edhe skenarë për shkuarje të parakohshme në zgjedhjet, me qëllim që pas zgjedhjeve të ardhshme të ndahet në mënyrë sa më të mirë “torta” e pushtetit, meqë kur dy partnerët qeveritarë janë partitë më të mëdha në vend, atëherë edhe ndarja e pozitave është më e vështirë. “Ne kemi parë që ka shenja para përgatitëse për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme, meqë dy partitë opozitare si AAK dhe NISMA i kanë zbutur qëndrimet me qëllim që në mandatin e ardhshëm të jenë “hisedarë” në pushtet, duke e parë që dy partitë aktuale në mazhorancë janë duke shkuar drejt divorcit. Arsye më bindëse që ky koalicion nuk do ta mbërrijë fundin e mandatit sipas afatit ligjor, qëndron në deklaratat shpeshherë kundërthënëse të deputetëve nga dy partitë, si dhe duke u mbështetur në metodikën e deritanishme, që prej pas luftës, ku asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e plotë”, ka thënë Badallaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta